Oda e Afarizmit të Kosovës kundër aplikimit të orës policore

 

Oda e Afarizmit të Kosovës(OAK) kundërshton masat e reja të Qeverisë së Kosovës kundër COVID-19, me të cilat parashihet edhe vendosja e orës policore në Prishtinë dhe disa komuna tjera.

Kryetari i Bordit të OAK-ut Skënder Krasniqi tha në një konferencë për media sot se janë kundër këtyre masave dhe se çdo vendim i tillë sipas tij është i papranueshëm.

“Bizneset janë në gjendje të rëndë, pasi që çdo mbyllje thellon më tej mbijetesën e tyre. Masat e reja për orë policore janë të papranueshme për OAK”, tha Krasniqi.

Edhe sekretari i Përgjithshëm i OAK-ut Diamant Elshani tha se masat e fundit të qeverisë do të dëmtojnë bizneset, duke rritur kështu numrin e atyre që do të falimentojnë dhe numrin e papunësisë.

Elshani thotë se duhet të gjendet një zgjidhje për bizneset, pasi humbjet janë të konsiderueshme për kompanitë dhe buxhetin e shtetit.

“Masat për mbrojtje nga COVID-19 të respektohen nga qytetarët dhe bizneset, por të mos ketë kufizime në operim të kompanive”, tha Elshani.

Krahas saj, OAK shprehet e shqetësuar për mos kalimin në Kuvend të Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, i cili parasheh edhe tërheqjen e mjeteve të dhjetë përqindëshit nga Trusti nga ana e qytetarëve të Kosovës.

Masa më të ashpra janë vendosur për komunat që janë në ‘zonën e kuqe’ si Prishtinë, Podujevë, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, ku aktiviteti ekonomik është lejuar të zhvillohet nga ora 05:00-19:00, ku pas kësaj ore do të mbyllet çdo aktivitet dhe do të ketë kufizim të lëvizjes së qytetarëve.

Grupi i parë janë komunat me rrezik më të ulët ose ‘ngjyrë të gjelbër’ ku numri i të infektuarve për 100 mijë banorë është deri në 75 brenda një jave. Në grupin e dytë janë komunat ‘me ngjyrë të portokalltë’ ku numri i rasteve të reja brenda një jave shkon nga 76-150, ndërsa grupi i tretë ‘me ngjyrë të kuqe’ ku numri i rasteve të reja kalon numrin 150.

Këto masa do të hyjnë në fuqi nga dita e premte në orën 19:00, kur edhe fillon mbyllja e komunave që janë në të ashtuquajturën ‘zonë e kuqe’.

Në komunat që bëjnë pjesë në grupin e parë apo në ‘zonën e gjelbër’, operatorët ekonomikë lejohen të punojnë nga ora 05:00-20:00, ndërsa në komunat në ‘zonën e portokalltë’ nga ora 05:00-18:00.

Ndërsa në të gjitha pikat kufitare do të kthehen ekipet mjekësore, arsimi i lartë do të kalojë plotësisht në platformën online, ndërsa për arsimin para universitar do të vlejnë manualet e zhvilluara nga Ministria e Shëndetësisë, IKSHPK dhe MASH.

Qeveria ka paralajmëruar se të gjitha bizneset që nuk i respektojnë masat e ndërmarra, do të mbyllen së paku për tre muaj.

Ndryshe, dje në nivel vendi janë regjistruar katër viktima dhe 733 raste të reja me koronavirus, që është shifra më e lartë ditore që nga shpërthimi i epidemisë në Kosovë në mesin e muajit mars.

Back to top button