OAK në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë

 

Problemet e bizneseve me ambasadat, specifikisht kërkesa për rritjen e komunikimit reciprok, mungesa e atasheve ekonomik, tërheqja e investimeve të huaja nga diaspora, krijimi i kushteve dhe ofertave për investitorët si dhe problemet me licensimin e pagesave ndërkombëtare në mesin e të cilave edhe PayPal, ishin çështjet kryesore të cilat u diskutuan në takimin mes përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) dhe Kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi.

Sekretari i Bordit të OAK, Diamant Elshani duke uruar për punën kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, shpalosi aktivitetet dhe prioritetet e Odës së Afarizmit. Elshani, theksoi se OAK ka analizuar Planin Qeverisës dhe përshëndet disa nga pikat e parapara në mesin e të cilave pikën për emitimin e bono thesarit dedikuar mërgatës, krijimin e Bankës Zhvillimore.

Po ashtu ai shtoi se e shohin si shumë të nevojshme pikën që parasheh rivlerësimin e MSA-së si dhe e përkrahin liberalizimin e tregut të punës me Shqipërinë.

Elshani shprehu gatishmërinë e OAK-së për të dhënë kontribut në aspektet profesionale që ndërlidhen në fushat me interes reciprok.

Back to top button