OAK: Shuma për punëtorët të jetë 220 euro

Sipas tyre qeveria duhet të kërkojë që bizneset mos të largojnë asnjë punëtorë nga puna si rezultat i vështirësive

Oda e Afarizmit të Kosovës reagoi pas masave të propozuara nga Ministria e Financave dhe Transfereve. OAK konsideron që shuma e përkrahjes për punëtorët duhet të jetë 220 euro dhe jo 170 euro siç është propozuar sot nga Ministri Bislimi. E kjo për faktin se ka disa vite që paga minimale ka mbetur e njëjtë dhe nuk ka ndryshuar, thuhet në kërkesën që Oda e Aafrizmit të Kosovës i ka dërguar Qeverisë së Kosovës.

Sipas tyre qeveria duhet të kërkojë që bizneset mos të largojnë asnjë punëtorë nga puna si rezultat i vështirësive që po hasin për shkak të ballafaqimit me pandeminë e virusit korona dhe që Qeveria t’i mbështesë me pagën e njëjtë prej 220 euro (pika 8).

Kjo për faktin që të gjithë të punësuarit në sektorin privat janë për arsye të nevojave të kompanive dhe jo për ndonjë arsye tjetër. Largimi mund të ndodhë për arsye të situatës së krijuar.

Gjithashtu OAK kërkon që në pikën 6 të përfitimit të skemave Qeveritare, të shtohet edhe sektori i mediave. Arsyetimi qëndron në faktin se punëtorët në media (gazetarë, kameramanë, redaktorë, montazherë, shoferë dhe të tjerë) gjatë gjithë kësaj kohe janë duke informuar në vazhdimësi publikun e gjerë dhe janë duke rrezikuar edhe jetën e tyre dhe të familjeve të tyre për informim sa më të shpejtë dhe drejtë të qytetarëve.

OAK ka parasysh vështirësinë financiare dhe limitet buxhetore që mund të ketë Qeveria, andaj kërkon që një pjesë e të hyrave për të mbështetur bizneset dhe të punësuarit në sektorin privat të sigurohet edhe nga:

1. Zbritja në 50% e pagave në sektorin shtetëror dhe kompanitë publike për 3 muajt e ardhshëm (paga mesatare në institucionet shtetërore është 580 euro kurse në kompani publike është 680 euro, ndërsa në sektorin privat është 370 euro prej nga i gjener onë të ardhurat shteti e që vijnë nga sektori privat). Gjithashtu arsye është edhe mbi 70% të këtij stafi janë duke qëndruar në shtëpi. Përjashtim duhet të ketë për Ushtrinë, policinë, shëndetësinë dhe zjarrfikëset.

2.Zbritja e pagave në së paku 50% për deputetët e parlamentit të Kosovës. Kjo për faktin se paga mesatare vjetore e deputetëve e kalon shumë prej 2000 euro në muaj dhe nuk janë duke pasur mundësi që të jenë aktiv gjatë kësaj kohe.

Nga Qeveria e Kosovës OAK kërkon që me urgjencë të paraqes në Kuvend propozimet për rialokimin e disa mjeteve të destinuara për qëllime të caktuara e që si pasojë e gjendjes së krijuar është e pamundur të realizohen.

Në këtë mënyrë të gjithë qytetarët e Kosovës të të gjitha fushave do të sigurojnë një mbështetje shumë më të madhe dhe me përmirsimin e gjendjes, mundësia e riaktivizimit të bizneseve do të jetë shumë më e madhe.

Back to top button