Obiliqi “diskriminohet” për të përdorur avullin e KEK-ut për ngrohje

Nga KEK-u thonë se kanë kapacitete të mjaftueshme për të furnizuar me avull për ngrohje qendrore edhe Obiliqin

Qyteti i Obiliqit njihet si zonë e rrezikuar nga ndotja që shkaktohet nga KEK-u dhe përdorimi i thëngjillit për ngrohje, ndërsa, për të ulur nivelin e ndotjes me ligj të veçantë për këtë komunë parashihet shfrytëzimi i avullit të termocentraleve për ngrohje për banorët, por një gjë e tillë ende po u mohohet atyre.

Këtë avull qe tre dimra me radhë janë duke e shfrytëzuar një pjesë e banorëve të Prishtinës.

Gypi i rrjetit të ngrohjes qendrore përmes të cili po ngrohen kryeqytetasit i kaloi rreth shtëpisë së tij, por kryefamiljari i familjes pesë anëtarshe, Fahri Hoxha thotë se nuk iu lejua kyçja në të, dhe arsyen ende vazhdon të mos e dijë.

Ai për kp thotë se kushtet e rënda ekonomike po e detyrojnë atë të blejë thëngjill, pasi ndryshe nuk mund t’ia dalin.

“Kur gypat kanë shkuar këndej rreth nesh, por ne nuk kemi qasje njëherë për shkak se nuk e di çka janë duke bërë, po rrejnë shkurt e shqip sepse më së pari ne jemi më të dëmtuarit këtu, termoelektranat siç e shihni e kemi 200 metra, duhet me ble qymyr, duhet me ble dru vetë…Unë kam blerë qymyr , kam blerë dru sepse pa ta nuk mundemi, i kam pesë fëmijë duhet me u nxeh diqysh ….Për shkak të kushteve nuk po ki qare veç me dru ose me pelet ku mi marr rrogat 200 euro minimale në Kosovë“, tha ai.

Por ky banor nuk është i vetmi që përdor thëngjill për ngrohje gjatë dimrit, pasi që shumë familje kosovare ngrohen edhe me këtë lëndë djegëse.

Edhe pse e di që përdorimi i thëngjillit ndihmon të rritet niveli i ndotjes, dhe kështu rritet edhe rreziku i shëndetit të familjarëve të saj, Elheme Bala thotë edhe këtë dimër do të ngrohen me thëngjill dhe dru, pasi që zgjidhje tjetër nuk kanë.

Sipas saj, rrjeti me ngrohje qendrore me avull do ndikonte edhe në ekonomin e tyre familjare.

“Po kemi marr edhe dru edhe thëngjill …Është po çka me bë tash pasi tjetër nuk po kemi tjetër, pasi nuk po kemi nxehje qendrore…Kish me ndikua bash mirë me u bë ashtu për me nxehje me avull “, u shpreh ajo.

I zhgënjyer është edhe Selim Krasniqi, i cili nuk ka asnjë shpresë se Obiliqi do të ketë rrjetin e ngrohjes qendrore, të paktën ai thotë se nuk do e gëzojë.

“Po jam përgatitur me të gjitha qymyr jo po dru kam ble… atë nuk e presim kurrë sepse vetëm fjalë janë ato thashetheme, se për me ardhur këtu nxemja, unë nuk e pres e tjerët nuk e di, ata fëmijët ata që janë të vegjël ndoshta e presin”, ka thënë ky banor.

Lidhur me këtë çështje kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi ka premtuar se brenda mandatit të tij katër vjeçar mbi 80 për qind e këtij territori do të kyçet në rrjetin e nxehjes qendrore me avull.

I pari i kësaj komune u shpreh se për këtë projekt kanë ndarë 530 mijë euro, kurse do punojnë që të tërheqin edhe donatorë të tjerë.

“Është kogjenerimi i cili është edhe në ligjin për Obiliqin është projekt që do të filloj me 530 mijë, mirëpo ne planifikojmë pas miratimit të buxhetit në Kuvendin e Kosovës të mbajnë edhe një konferencë për donatorë me qëllim që të përfitojmë nga donatorët që të rritet kjo shumë sa më shumë…kyçja në këtë vit është pothuajse e pamundur, ky është një projekt jashtëzakonisht i madh dhe ne jemi duke e bërë studimin e fizibilitetit, dhe besoj që vitin e ardhshëm fillojmë me projektimin dhe implementimin e projektit….Unë besoj që në këtë katër vjeçar do të ketë mbi 80 për qind të shtrirjes së rrjetit nxehjes qendrore në tërë territorin e komunës sonë“, u shpreh ai.

Ndërsa, nga Korporata Energjetike e Kosovës e konfirmojnë se kanë kapacitete të mjaftueshme për të furnizuar me avull për ngrohje qendrore edhe Obiliqin.

Drejtori ekzekutiv i Shërbimeve në Korporatës Energjetike të Kosovës, Edmon Nulleshi ka shprehur gatishmërinë e korporatës për të ndihmuar në këtë drejtim obiliqasit.

“Gjithsesi kapacitet ka të mjaftueshme për sa i përket avullit KEK-u është i gatshëm gjithsesi me i hy këtij aktiviteti nëse kërkohet nga aksionari, mirëpo ne nuk merremi me ngrohjen kjo është çështje e ndonjë institucioni tjetër se si duhet të bëhet, tash nuk e di si do shkoj kjo iniciativë apo përmes Termokosit apo përmes ndonjë ndërmarrje tjetër që do formohet por ne jemi të gatshëm me kushtet e njëjta të cilat i ofrojmë Termokosit me ofrua ngrohje edhe për banorët tjerë“, ka thënë Nulleshi.

Ndryshe, komuna e Prishtinës që nga sezoni ngrohës 2014/2015 në saje të realizimit të Projektit të kogjenerimit NP “Termokos” SH.A shfrytëzon avullin e Termocentralit Kosova B për prodhimin e energjisë ngrohëse.

Back to top button