Simmons: Shumë zyrtarë në EULEX duan vetëm t’i mbushin xhepat me ar

Ish-kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve, në misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), Malcolm Simmons ka thënë se shumë zyrtarë të këtij misioni vetëm duan të pasurohen.
Simmons këto deklarata i bëri teksa po raporton në Komisionin Parlamentar të Kosovës për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.
“Shumë zyrtarë në EULEX, duan t’i mbushin xhepat e tyre me ar. Duan të pasurohen dhe kanë shumë pak interes për Kosovën dhe qytetarët e saj”, tha ai duke shtuar se në këtë mision ka edhe punëtorë të ndershëm.

Ndryshe, që nga viti 2017 kur Simmons u largua nga misioni i EULEX-it, bëri akuza të shumta për keqpërdorime dhe ndikime politike në procese gjyqësore që udhëhiqeshin nga EULEX-i.
Një version krejt tjetër për akuzat e ish-gjyqtarit Simmons e ka Misioni Evropian për Sundim të Ligjit EULEX.
Në këtë mision kanë thënë se pas akuzave që bëri Simmons në vitin 2017, një ekip i pavarur hetimor i udhëhequr nga një gjykatës në pension i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë hetoi pretendimet e tij, por se ai dështoi që të mbështeste akuzat që kishte ngritur.
EULEX është misioni më i madh i dërguar jashtë vendi nga Bashkimi Evropian. Qëllimi i EULEX-it është t’i mbështesë institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë.
Që nga ardhja në Kosovë në vitin 2008 ky mision i ka kushtuar BE-së qindra miliona euro. Bazuar në vendimin e fundit të mekanizmave të BE-së, EULEX-i ka mandat deri më 14 qershor, 2023 duke pasur një mandat të kufizuar./21Media

Back to top button