OBSH: Evropa i vetmi rajon ku numri i të infektuarve po rritet
Numri i rasteve me koronavirus në Evropë u rrit për të pestën javë radhazi, duke e bërë atë rajonin e vetëm në botë ku vazhdon të rritet infeksioni me Covid-19, njoftoi sot Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Në një raport javor për pandeminë, agjencia shëndetësore e OKB-së theksoi se numri i rasteve të reja u rrit me 6.0% në Evropë, krahasuar me rritjen prej 18% të regjistruar javën e kaluar, raporton agjencia AP.
Numri javor i infeksioneve të reja në rajone të tjera ka rënë ose ka mbetur afërsisht i njëjtë, u bë e ditur në raport.
Rënia më e madhe u regjistrua në Lindjen e Mesme, ku numri i rasteve të reja u ulë me 12% dhe në Azinë Juglindore dhe Afrikë, ku numri ra me 9%.
Gjithsej tre milionë raste të reja javore u raportuan në mbarë botën, thuhet në raport.
Numri i vdekjeve nga COVID-19 në botë u rrit me 8 për qind, kryesisht për shkak të Azisë Juglindore, ku shkalla e vdekjeve u rrit me 50%.
Shkalla e infeksionit me koronavirus ishte larg nga më e larta në Evropë, e cila raportoi rreth 192 raste të reja për 100.000 njerëz, e ndjekur nga Amerika Veriore dhe Jugore, me rreth 72 raste të reja për 100.000 njerëz.
Ndërsa, Republika Çeke, Polonia dhe vende të tjera në Evropën Qendrore dhe Lindore raportuan rritjen e fundit të infeksionit, rritja e vazhdueshme e rasteve të konfirmuara në të gjithë Evropën është kryesisht për shkak të rritjes së infeksioneve në Britani, Rusi, Turqi dhe Rumani, tregon raporti.
OBSH ka dënuar gjithashtu vendet e pasura për futjen e dozave përforcuese, në një kohë kur shumica e vendeve të varfra ende nuk kanë administruar vaksina për popullsinë e tyre më të cenueshme.
OBSH njoftoi javën e kaluar se rreth një milion doza përforcuese jepen çdo ditë, që është rreth tre herë më shumë se numri i vaksinave të dhëna në vendet e varfra.