Oda e Infermierëve: Qeveria gjatë procedimit të Ligjit të Pagave, të marrë parasysh kërkesat tona
Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë është shprehur se është tejet e brengosur me mos transparencën nëpër të cilën po kalon draftimi i Ligjit për Pagat.
Përmes një komunikate OIK ka theksuar se i gjithë ky proces shumë i rëndësishëm po përcillet me mungesë të komunikimit ndërmjet mekanizmave përgjegjës qeveritarë dhe Odës, si organzatë profesionale dhe e pavarur që ka për detyrim mbrojtjen e interesave të infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë.
OIK ka kërkuar nga Qeveria që gjatë procedimit të Ligjit të Pagave, të mirren parasysh të gjitha kërkesat dhe thirrjet që i kanë bërë dhe i kanë dorëzuar përmes shkresave të veçanta në Presidencë, Kuvend, Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Shëndetësisë etj.
”Profesioni i infermierit dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë tashmë përveç kualifikimeve me shkollim të mesëm përfshinë edhe kualifikimet me bachelor, master dhe studime të doktoraturës. Andaj, kërkojmë me ngulm që këto kualifikime të merren parasysh edhe në përcaktimin e koeficientëve të pagave”, thuhet në komunikatë.
OIK gjithashtu kërkon që infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësorë të trajtohen ngjashëm apo madje me koeficient edhe më të lartë se kolegët e tyre me bachelor të fizioterapiosë, radiologjisë etj.
”Kjo, duke u bazuar në nivelin e shkollimit të tyre, e jo siç ka qenë e përcaktuar në draftin fillestar të Ligjit, që është kontestuar nga Gjykata Kushtetuese, e ku infermierët me bachelor nuk janë trajtuar njejt si kolegët e tyre me bachelor të fizioterapiosë, radiologjisë etj. OIK pret që infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë, t’u vlerësohet puna dhe roli i tyre nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë”, thuhet tutje në komunikatë.
OIK ka theksuar se nuk pranojnë në asnjë mënyrë që profilet e ngjashme me edukim të ngjashëm të kenë koeficient të ndryshëm./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?