OEA e shqetësuar me paralajmërimin për rritje të pagave

Oda Ekonomike Amerikane ka shprehur shqetësimin e saj për rritjen e rrogave në sektorin publik

Oda Ekonomike Amerikane (OEA) në Kosovë ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me vendimin e paralajmëruar të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave në sektorin publik, pasi që një gjë e tillë rrit presionin mbi buxhetin dhe tatimpaguesit e Kosovës dhe njëkohësisht do të ishte në kundërshtim me sugjerimet e FMN-së.

“Oda Amerikane beson fuqishëm se ky vendim i mundshëm do të rriste më tej boshllëkun në nivelet e pagesave në sektorin publik dhe privat, veçanërisht duke e ditur se normat e rritura në mënyrë të vazhdueshme në sektorin publik nuk mund të përcillen nga sektori privat, si rezultat i sfidave dhe vështirësive me të cilat përballet ky i fundit”, thuhet në njoftimin e dërguar.

Po ashtu në njoftim thuhet se , rritja e pagave në sektorin publik rrit presionin mbi buxhetin tashmë të kufizuar, si dhe mbi tatimpaguesit e Kosovës, e në të njëjtën kohë do të ishte në kundërshtim me sugjerimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, por edhe me përkushtimin dhe përpjekjet e shtetit për rritje më të lartë ekonomike, meqë kjo e fundit varet nga sektori i qëndrueshëm dhe konkurrues privat, derisa vendimi i paralajmëruar do të cenonte direkt konkurrueshmërinë dhe potencialin e rritjes së sektorit privat.

“Oda Amerikane rikujton Qeverinë e Kosovës se vendimi i paralajmëruar do të bënte sektorin privat më pak atraktiv për punëkërkuesit dhe do të inkurajonte zhvendosjen e fuqisë punëtore nga sektori privat në atë publik. Kjo vetëm se do të shtonte vështirësitë me të cilat përballet sektori privat në aspektin e disponueshmërisë së fuqisë punëtore dhe çështjet e tjera që lidhen me boshllëkun e shkathtësive në Kosovë”, thuhet në njoftim./21Media

Back to top button