OEAK: Transformimi i pronës shoqërore s’ka alternativë

3 min read

Notice: Trying to get property 'post_excerpt' of non-object in /home/rtv21new/public_html/wp-content/themes/newsphere-pro/inc/hooks/hook-single-header.php on line 65

 

Pavarësisht të metave që e kanë karakterizuar procesin e privatizimit në vend, transformimi i pronës shoqërore dhe publike në atë private në Kosovë nuk duhet të ketë alternativë, megjithatë nevojitet koordinim i brendshëm ndërinstitucional, si dhe me hisedarët e tjerë për rishikimin e mundshëm të politikave të privatizimit. Kjo u tha në forumin e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbi të Ardhmen e Privatizimit, me deputetë, drejtues të Agjencisë së Privatizimit dhe njohës të ekonomisë.

Sipas komunikatës së lëshuar nga OEAK, thuhet se kryesuesi i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, deputeti Ferat Shala, shprehu shqetësimet e tij lidhur me ndërhyrjet e ekzekutivit në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, si një agjenci e pavarur e cila i raporton Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ai mëtej u shpreh pro shqyrtimit të politikave që lidhen me procesin e privatizimit, duke theksuar edhe nevojën e koordinimit me sektorin privat për këtë çështje. Ai po ashtu tha se Qeveria e re duhet të ketë një strategji të qartë për sa i përket privatizimit të ndërmarrjeve publike. Ai tha se asetet shoqërore dhe shfrytëzimi i tyre duhet të kihen parasysh gjatë ndryshimit të Ligjit për Investimet Strategjike. Krejt në fund, deputeti Shala foli edhe për gjendjen e vështirë të shumë aseteve minerare, ku kërkohet ndërhyrja urgjente e shtetit.

Valon Tolaj, drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, theksoi se institucioni që ai drejton angazhohet në përmbylljen e procesit të privatizimit. Sipas tij, ky proces nuk mund të përfundoj nëse nuk ka komunikim ndërinstitucional, duke përfshirë këtu edhe komunikimin me Qeverinë, komunat, por edhe me gjykatat. Tolaj më tej theksoi se gjysma e aseteve shoqërore janë privatizuar, ndërsa vlera e aseteve të paprivatizuara është më e vogël se vlera e aseteve që janë transformuar deri me tani. Ai gjithashtu ceku se shqetësimi i AKP-së janë edhe në vonesat në gjykata, duke cekur se mbingarkesë të konteksteve gjyqësore që e vështirësojnë transformimin e ndërmarrjeve shoqërore. Tolaj tha se procesi i likuidimit është një proces i nisur dhe ndërprerja e mundshme e tij, do të kishte pasoja të rënda ligjore për Republikën e Kosovës.

Në anën tjetër, Safet Gërxhaliu, njohës i ekonomisë, theksoi se politizimi i proceseve po i ngadalëson ato. Duke qenë se pika ma e dobët në Kosovë është sundimi i ligjit, këtë pasojë sipas Gërxhaliut po e bart edhe procesi i privatizimit. Sipas tij, qëllimi i procesit te privatizimit ka qenë që Kosova të ketë qëndrueshmëri ekonomike, ndërsa në fakt në Kosovë ka pasur humbje të vendit të punës. Ai gjithashtu theksoi se pikat e dobëta të AKP-së kanë qenë mungesa e investimit në përmirësim të imazhit të vendit. Ai përsëri theksoi se sundimi i rendit dhe i ligjit duhet të jetë pika kryesore dhe pa këtë pikë ai pret që sfidat në të ardhmen do të jenë të mëdha. Duke folur për të ardhmen e ndërmarrjeve publike, Gërxhaliu tha se duhet të ketë më shumë se një skenar të propozuar nga Qeveria për sa i përket të ardhmes së Telekomit dhe ndërmarrjeve të tjera publike, por është me rëndësi që të ketë propozime në këtë aspekt.