Kaloni te përmbajtja kryesore

​OEK me Prodhuesit ritheksojnë kërkesën për pezullimin e detyrueshëm të daljes në tregun e lirë të energjisë

Oda Ekonomike e Kosovës së bashku me Shoqatën e Prodhuesve të Kosovës në kuadër të saj, shprehin shqetësimin e thellë lidhur me faturat e energjisë elektrike të muajve të fundit, të cilat po shndërrohen në një barrë të papërballueshme për sektorin prodhues.

Sipas njoftimit, që nga dita e parë, Oda Ekonomike e Kosovës së bashku me Shoqatën e saj Prodhuese, ka ngritur zërin publikisht dhe institucionalisht se dalja e detyrueshme e prodhuesve në tregun e lirë do të rezultojë me çmime të papërballueshme për bizneset. Sot, fatkeqësisht, po vërtetohet pikërisht ajo për të cilën kemi paralajmëruar.

“Sipas të dhënave zyrtare: Bizneset prodhuese të obliguara të furnizohen në tregun e lirë kanë paguar 162 €/MWh në qershor 2025 dhe 203 €/MWh në korrik 2025. Në të njëjtën periudhë, konsumatorët në furnizim të rregulluar kanë paguar vetëm 65–75 €/MWh”, thuhet nw komunikatw.

Më tej thuhet se ky dallim i pajustifikuar, mbi 3 herë më i lartë për prodhuesit, ka sjellë pasoja të rënda për konkurrueshmërinë e fabrikave tona dhe i ka vendosur prodhuesit kosovarë në pozitë të pabarabartë në raport me sektorët e tjerë të brendshëm dhe konkurrentët rajonalë.

“Në kulmin e verës, kur normalisht pritet ulje e çmimeve, faturat e prodhuesve janë rritur në nivele rekord. Kjo ngre alarmin se në periudhën e dimrit, kur konsumi dyfishohet, çmimet mund të kalojnë edhe 300 €/MWh, duke shkaktuar pasoja të pariparueshme si: mbyllje të fabrikave, humbje të mijëra vendeve të punës, rrëzim të prodhimit vendor dhe rritje të varësisë nga importet”, thuhet në komunikatë.

Për këto arsye, Oda Ekonomike e Kosovës me Shoqatën e saj të Prodhuesve të Kosovës ritheksojnë me ngulm kërkesën për pezullimin e menjëhershëm të daljes së detyrueshme në tregun e lirë. Ky është hapi i vetëm i drejtë dhe i domosdoshëm për të mbrojtur prodhimin vendor dhe për të shmangur një krizë ekonomike të shkaktuar nga faturat e energjisë.

“Energjia elektrike nuk është thjesht një produkt tregu, është faktori themelor për mbijetesën e industrisë vendore. Pa ndërhyrje të shpejtë, rrezikohet seriozisht baza prodhuese dhe e ardhmja ekonomike e vendit”, thuhet nw njoftim.

Mbi 1 mijë e 400 njehsorë elektrikë të bizneseve të ndryshme në disa komuna të Kosovës janë shkëputur nga rrjeti i energjisë elektrike, si pasojë e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që obligon bizneset të kalojnë në tregun e lirë të energjisë.

Megjithatë, ky vendim nuk po zbatohet në katër komunat veriore të Kosovës, ku bizneset furnizohen me energji nga kompania “Elektrosever”. Kjo kompani nuk i nënshtrohet tarifave të rregulluara nga ZRRE-ja, dhe deri më tani nuk janë ndërmarrë masa për shkyçjen e konsumatorëve në këtë pjesë të vendit.

Përjashtimi i bizneseve në katër komunat veriore nga obligimi për daljen në treg të lirë po konsiderohet diskriminues nga ekspertë të ekonomisë dhe avokatë. Ata thonë se Ligji për Energjinë Elektrike zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, pa dallim veri apo jug. Sipas tyre, kjo çështje duhet të rregullohet nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE). Derisa nuk përjashtojnë mundësinë që kjo çështje të dërgohet edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button