OPINIONE: Kosova dhe (jo)zgjerimi i BE-së…

Synimet e forumit “Bashkësia Politike Evropiane”
Bashkimi Evropian ka hedhur poshtë kritikat se Bashkësia Politike Evropiane është e ndërlidhur me procesin e zgjerimit të BE-së. Një takim i Bashkësisë Politike Evropiane, një forum i propozuar nga presidenti francez, pritet që të zhvillohet me 6 tetor në Republikën e Çekisë dhe në mesin e të ftuarve është edhe Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Por në Prishtinë, nisma është parë me skepticizëm…
Një zëdhënës i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i tha RTV21 se ideja e krijimit të forumit “Bashkësia Politike Evropiane” nuk ka të bëjë asgjë me procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Deklarata e z. Stano i paraprinë një takimi të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor përfshirë edhe Moldavinë, Ukrainën e Turqinë, që pritet të mbahet në Pragë të Republikës së Çekisë gjatë javës.
Kosova do të jetë në mesin e të ftuarve dhe qëllimi i këtij forumi që fillimisht është promovuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, nuk është shumë i qartë për përfaqësuesit politikë në vend. Ish-ministri i Punëve të Jashtme njëherësh deputet i PDK-së, Enver Hoxhaj, krijimin e një komuniteti të ri politik e sheh edhe si formë për t’i thënë jo zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Por anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane, Gazmend Gjyshinca, krijimin e një mekanizmi evropian e sheh si mundësi për Kosovën që t’i shtyjë përpara planet për integrimin e vendit, përfshirë edhe lobimin për liberalizimin e vizave.
Idenë për krijimin e Bashkësisë Politike Evropiane e ka paraqitur në maj presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Sipas presidentit francez, ky forum ka për qëllim të lehtësojë shkëmbimet midis shteteve të BE-së dhe atyre që janë jashtë bllokut, përfshirë edhe ato që aspirojnë anëtarësimin në BE.
Pjesëmarrësit pritet të diskutojnë për sigurinë, migrimin dhe ndryshimet klimatike, por edhe për situatën aktuale ekonomike. Megjithatë, edhe Franca, por edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, i cili ka mbështetur Bashkësinë Politike Evropiane, kanë thënë se ky forum nuk duhet të jetë alternativë e zgjerimit të BE-së.
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku, i sheh të ndarë në qëndrime presidentin e Francës, Emanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz sa i përket themelimit të forumit Bashkësia Politike Evropiane.
Bashkësia Politike Evropiane megjithatë prej kohësh është cilësuar si një lloj paradhome e integrimeve për të gjitha vendet që janë jashtë Bashkimit Evropian./21Media

Back to top button