Opozita dyshon se Kurti mund të negociojë zbatimin e planit të BE-së për dialogun

Dy partitë opozitare në Kosovë, PDK dhe LDK dyshojnë se kryeministri Albin Kurti mund të imponojë apo negociojë diçka në udhërrëfyesin e zbatimit të planit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi. Një ditë pas qëndrimit në Kosovë të emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ku takoi edhe krerët opozitarë, zyrtarë të lartë të këtyre partive thonë se Kurti është pajtuar me çdo gjë në atë plan dhe mbetet vetëm çështje ditësh nënshkrimi i marrëveshjes, bashkë me aneksin e zbatimit. Sipas tyre, i vetmi negocim do të jetë data e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, thotë për KosovaPress se kryeministrit Kurti i ka mbetur të shkojë vetëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, pasi konsideron se ai është pajtuar me gjithçka çka ka ai plan, përfshirë edhe zbatimin e tij.
“Kryeministri tashmë është pajtuar me çdo gjë në atë plan dhe vetëm është çështje ditësh se kurdo të mbahet ceremonia e nënshkrimit”, thotë ajo.
Më kritikues karshi kryeministrit Kurti është deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.
Ai është pesimist se Kurti do të shtyjë përpara agjendën e tij sa i për ketë aneksit të planit të Bashkimit Evropian. Anëtari i Kryesisë së LDK-së, thotë se Kurti e ka degraduar dialogun dhe i vetmi negocim që do të bëhet do të jetë modaliteti për statusin e Kishës Ortodokse dhe vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë, të përfshira në pikën shtatë të planit të BE-së.
“Këta qeveritarët që i kemi nuk janë në gjendje të negociojnë asgjë, të imponojnë apo çojnë parapara asgjë nga ana e tyre. Ky draft që është dakorduar në Bruksel është në qarkullim në medie dhe publik që nga shtatori i vitit të kaluar. Na është thënë në Kuvend nga kryeministri se plani që i është propozuar nga ndërmjetësi nuk është plan ‘merre ose lere’, por duhet të negociohet. Në fund erdhi në pikën që prapë para Kuvendit tha se ai është plani i vetëm i panegociueshëm që duhet të pranohet nga shteti i Kosovës. Këta nuk janë në gjendje të negociojnë asnjë gjë… Çfarë degradimi ky është i procesit që tash dialogu të bartet në Shkup dhe bartet vetëm me negociuar datën se kur themelohet Asociacioni edhe këtë statusin e veçantë të kishës ortodokse serbe ose modalitetet e vetë menaxhimit të komunitetit serb në Kosovë”, thekson Hoti.
Në anën tjetër, zyrtarë qeveritarë nuk kanë kthyer përgjigje në lidhje me negocimin për zbatimin e planit të BE-së për dialogun dhe mundësitë që ai të nënshkruhet më 18 mars në Maqedoninë e Veriut.
Kurse, njohësi i procesit të dialogut, profesori universitar në Britani të Madhe, Seb Bytqyi, thotë se Kosova e ka komoditetin që të negociojë më ashpër sa i përket aneksit të marrëveshjes me Serbinë.
Sipas tij, plani i BE-së për dialogun për Serbinë nuk ka kthim prapa dhe kjo i jep Kosovës më shumë hapësirë për negociata edhe rreth Asociacionit.
“Tek aneksi mund të arrihet një pajtim që ka të bëjë për implementimin e marrëveshjes brenda disa javëve apo mund të zgjatet edhe për disa muaj. Tash Kosova është në një pozitë më komode ku është arritur pajtimi për planin në përgjithësi që nënkupton njohjen de-facto nga Serbia. Gjithashtu kjo nënkupton edhe se nuk mund të ketë kthim prapa për Serbinë. Kjo ia jep Kosovës një komoditet që të negociojë më ashpër sa i përket aneksit të implementimit ku përfshihen edhe çështjes që kanë të bëjnë me Asociacionin”, deklaron ai.
Gjatë kësaj jave në Kosovë qëndroi emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Pas takimeve me krerët e shtetit, ai tha se janë përmbushur pritshmëritë e tij nga pala kosovare për zbatimin e planit të BE-së për dialogun.
Ai në fillim të javës së ardhshme do të qëndrojë edhe në Beograd për të parë perspektivën e tyre për planin e BE-së.
Më 18 mars në Maqedoninë e Veriut pritet të mbahet takimi i radhës i nivelit të lartë të dialogut, ku pritet të diskutohet plani i BE-së për dialogun dhe aneksi për zbatimin e tij./kp

Back to top button