Opozita e pakënaqur me buxhetin

Ligji për Buxhetin e vitit 2024 ka marrë mbështetjen e 63 deputetëve. Me ligjin e miratuar, buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë 3.3 miliardë euro, për 100 milionë euro më i lartë sesa ai i këtij viti. Opozita, e cila lëshoi sallën në kohën kur ligji u nxor për votim, e konsideron si një buxhet i cili nuk do të ndikojë në zhvillimin ekonomik. Ndërkaq, Oda Ekonomike e Kosovës, shqetësim e ka mos implementimin e këtij buxheti.

Ligji për Buxhetin e vitit 2024 kaloi në Kuvend vetëm me votuat e partisë në pushtet, LVV-së. Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në votimi në shenjë pakënaqësie për mospërkrahjen e amendamenteve të propozuara prej tyre, me çrast edhe lëshuan sallën e kuvendit.

Opozita ka adresuar kritika të shumta për ndarjet buxhetore për vitin 2024, nga një shumë totale prej 3.3 miliardë eurosh.

Sipas deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ky buxhet nuk është zhvillimor.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës po presin me ju dhanë ndihma qeveria edhe nuk po krijon vende të reja të punës, ku është perspektiva, ku është motivi i të rinjve e të rejave tanë që presin me u punësu e jo pensionistëve me ju lëshu nga 100 euro dhe gjithë sektorëve të tjerë, ndërsa nuk është në gjendje me e zhvillu ekonominë dhe secila familje me pasë një apo dy antarë të punësum. Gabim e ka planifiku matematikisht buxhetin duke bërë ndarje edhe mes komunave se ku udhëheq VV dhe ku jo, ka ba diskriminim”, tha ajo.

Kritika për buxhetin e vitit 2024 ka edhe ish-ministri i Financave, Haki Shatri. Ai e vlerëson atë si një pasqyrim të një veprimtarie të dobët ekonomike në tri vitet e fundit.

“Nuk është buxhet që garanton një zhvillim ekonomik, as nuk garanton, ndonjë përmirësim të mirëqenies, as shërbyesve civil të cilët paguhen nga buxheti, e as të pensionistëve e kategorive tjera në nevojë, të cilët përmes transfereve sociale, financohen nga ky buxhet. E them këtë sepse buxheti i vitit 2024 është vetëm 100 milionë me i madh se buxheti i vitit 2023, që i bjen dikun rreth 3% në shifra nominale i rritun në vitin që vjen. Kjo rritje nuk e mbulon as shkallën e inflacionit, nuk e mbulon as rritjen e cmimeve, as nuk përputhet me dinamikën e parapame të zhvillimit ekonomik”, tha Shatri.

Oda Ekonomike e Kosovës shpreh shqetësim se edhe kësaj radhe qeveria nuk do ta shpenzojë buxhetin për investime zhvillimore. Sipas kryetarit Lulzim Rafuna, vitet e fundit, është shpenzuar vetëm rreth 50% e buxhetit të shtetit.

“Mendoj shumë se kish me qenë kërkesë e jona e biznesit që tani Qeveria mos të bazohet ma në buxhet një vjecar, e kemi kalu atë fazë, tani duhet të përgatiten buxhete për tri vjet. Siç përgatitet në të gjitha vendet e zhvillume, kemi përgatitë buxhetin një vjeçar dhe tani duhet të përgatiten buxhete për tri vjet, siç përgatiten vendet e zhvillume ku parashihen projekte kapitale, për një periudhë kohore tri e më shuëm vite”, tha Rafuna për RTV21.

Buxheti i vitit 2024 prej 3 miliardë e 314 milionë euro, është mbi 100 milionë euro më i lartë se i ai i vitit 2023.
Pesë institucionet me buxhetin më të madh në vitin 2024 pritet të jenë: Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Punëve të Brendshme, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, si dhe Ministria e Mbrojtjes./21Media

Back to top button