Përfundon afati për konvertimin e targave ilegale të Serbisë në ato RKS

Policia e Kosovës tha se vetëm në periudhën prej afro dy muajsh të fundit të vitit janë konvertuar mbi 3400 targa ilegale. Një afat për konvertim të targave ilegale në ato të RKS u përmbyll më 15 dhjetor. Policia tha se që nga e shtuna qarkullimi i veturave me targa që mbajnë regjistrime të vjetra ilegale do të ndalohet dhe pronarët e tyre do të gjobiten. Ndërkohë qytetarët në Mitrovicën e Veriut thonë se për ta ka rëndësi paqja.

Në qendrën e kontrollit teknik në Mitrovicën e Veriut nuk ka pothuaj asnjë makinë tjetër në radhë për të kryer procesin e konvertimit të targave. Nga një fluks i madh në javët e kaluara procesi i afatizuar u përmbyll saktësisht më 15 dhjetor dhe targat e vjetra hiqen nga përdorimi. Policia e Kosovës tha se vetëm brenda periudhës nëntor dhe dhjetor të këtij viti më shumë se 3400 pronarë të makinave kryen konvertimin e targave të tyre në RKS. Zëvendësdrejtori i policisë së Kosovës në Mitrovicën e veriut, Veton Elshani, ka paralajëmruar gjobitjen e të gjithë pronarëve të makinave që nuk i kanë konvertuar ato në RKS në afatin e përcaktuar.

“E shtuna është një ditë normale, veturat në pjesën e Veriut do të jenë si në Pejë, Gjakovë, Prishtinë deri më tani që nga hapja e afatit janë regjistruar mbi 3400 vetura ndërsa që nga nesër nëse hasim në vetura me targa KM, PR, Pz, DE, UR, do të ketë dënime të ndryshme, vërjetje, tiketa e deri në konfiskim varësisht nga situata”, tha Elshani për RTV21.

Por, për qytetarët serbë që jetojnë në Mitrovicën e Veriut tashmë targat s’kanë rëndësi sa ka rëndësi, sipas tyre, paqja.

“Si të jetë le të jetë, vetëm le të jetë mirë dhe të ketë paqe”, tha një qytetar.

“Po vërehet se ka lëvizje, diçka po ndodhë, më mirë pak se fare”, tha një qytetar tjetër.

Qeveria e Kosovës dha afat deri më 1 dhjetor që të përfundonte procesi i konvertimit të targave, por e zgjati atë deri më 15 dhjetor pas shfaqjes së një interesimi më të madh të qytetarëve. Tash për tash nuk dihet numri i saktë i makinave që mbajnë targat ilegale, por Policia tha se brenda gjithë vitit 2023 mbi 4200 pronarë makinash i konvertuan targat në RKS. Policia gjithashtu tha se një shtyrje tjetër e afatit nuk është e nevojshme.

“Nuk e dijmë numrin e saktë mirëpo për një shtyerje tjetër të afatit për policinë ka përundu gjithçka dhe nuk ka nevojë vetëm nëse qeveria kërkon ajo është diçka tjetër, sa i përket policisë ka përundu kjo çështje”, tha Elshani.

Konvertimi i targave nga qytetarët serbë, u pa si zbatim i marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrti, nga analisti politik, Branislav Kërstiq.

“ Çështja e targave ka përfundu edhe kjo njejtë si rryma rrjedh nga marrëveshja e Brukselit, pra ne çdo ditë po shohim implementim të marrëveshjes”, tha Kërstiq për RTV21.

Çështja e targave KM shkaktoi krizë në veri duke çuar në protesta të qytetarëve serbë, vendosjen e barrikadave dhe largimin nga institucionet e Kosovës. Qeveria e Kosovës u detyrua që në fundvitin e kaluar të hiqte dorë nga një përpjekje për të vendosur afate të shkallëzuara, përkundër thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare për të mos lejuar përshkallëzim të situatës./21Media

Back to top button