Opozita kërkon seancë të jashtëzakonshme për vizat

Sipas Grupit parlamentar të LDK-së, qeverisë nuk i ka mbetur gjë tjetër përveç dorëheqjes

Opozita kërkon seancë të jashtëzakonshme , për siç deklarojnë ata, dështimet e koalicionit qeverisës lidhur me mos liberalizmin e vizave.

Kryeministri i sotëm dhe zëvendësi i tij Limaj dikur pengonin me dhunë e intriga përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave. Atëherë e fajësonin Bashkimin Evropian, i cili deklaronte se po rrezikohet liberalizimi i vizave deri pas zgjedhjeve të vitit 2019 në Bashkimin Evropian. Sot, kur ai paralajmërim është bërë fakt, përdoruesit e dhunës dhe intrigave, tash bashkë me partnerët e tyre qeverisës, sërish po fajësojnë Bashkimin Evropian.”, bëhet e ditur në komunikatën e Grupit parlamentar të LDK-së.

Tutje, sipas GP të LDK-së, dorëheqja e këtij koalicioni qeverisës është veprimi i vetëm që iu ka mbetur.

“Dështimin në liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në Interpol po e shesin si dështim të Evropës, në rastin e liberalizimit të vizave, dhe të sigurisë globale, në rastin e Interpolit.
Kosovës po i mbyllen dyert sepse udhëhiqet prej njerëzve të izoluar. Këta po mundohen ta shpërthejnë izolimin e tyre, duke e izoluar Kosovën. Por, Kosova dhe qytetarët e saj do ta shpërthejnë izolimin duke i izoluar këta udhëheqës të papërgjegjshëm. Kuvendi duhet të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar këtë çështje. Dorëheqja e tyre është veprimi i vetëm që ju ka mbetur.”, bëhet e ditur në komunikatën e LDK-së.

Dje në Kosovë ka qëndruar Komisonari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, i cili ka zhvilluar takim me udhëheqësit e shtetit të Kosovës, me të cilët ka biseduar për liberalizimin e vizave, taksën e vendosur nga Qeveria dhe dialogun me Serbinë. Ai ndër tjerash ka deklaruar se liberalizmi i vizave mund të shtyhet deri në vitin 2020./21Media

Back to top button