Opozita në Kosovë uron Trumpin
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi uroi fitoren e Presidentit Donald Trump. Krasniqi përmes një postimi në Facebook u shpreh se rizgjedhja e Presidentit Trump është dëshmi e forcës së demokracisë amerikane.
“Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, i përcjell urimet më të përzemërta Presidentit Trump dhe popullit amerikan në një tjetër rrugëtim të përbashkët përpara. Rizgjedhja e Presidentit Trump është dëshmi e forcës së demokracisë amerikane. Lidhja mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës shkon gjithmonë përtej politikës. Roli i SHBA-së në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, shtetformimit dhe shtetndërtimit është dëshmi e një raporti të ndërtuar mbi vlera, besim dhe respekt të veçantë. Ndërsa Kosova vazhdon përpjekjet që të ndërtojë një të ardhme më të mirë, ne ritheksojmë përkushtimin e plotë për forcimin e aleancës sonë më të rëndësishme, duke rifuqizuar raportet Kosovë – SHBA, përmes mundësive të reja për bashkëpunim, zhvillim, paqe e stabilitet në rajonin tonë. Urime President Trump!”, shkroi Krasniqi.
Edhe i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku uroi fitoren e Donald Trump. Ai përmes një postimi në Facebook u shpreh se rikthimi i Kosovës në agjendën e Washingtonit është interes nacional i popullit të Kosovës.
“Populli i Kosovës ka qenë gjithmonë i bekuar me lidhjen sa të veçantë aq dhe të pazëvendësueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – aleatin tonë strategjik të së shkuarës e të së ardhmes! Në emër të anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, uroj Presidentin e 47-të të SHBA-ve, Donald J. Trump për fitoren presidenciale në zgjedhjet amerikane! Rikthimi i Kosovës në agjendën e Washingtonit është interes nacional i popullit të Kosovës. Pa SHBA-të ecja e Kosovës si shtet i ri e në konsolidim ndërkombëtar është e pamundur! Në Qeverinë e ardhshme, këto lidhje do të rikuperohen e mirëmbahen si orientime të pandryshueshme, të pathyeshme, të pazëvendësueshme! “Kosova, shtet i pavarur e sovran, i anëtarësuar në NATO e Bashkim Evropian, e me miqësi të përhershme me SHBA-të” – ishte misioni ynë dje, është misioni ynë sot, do të jetë misioni ynë nesër!”, shkroi Abdixhiku.
Kryetari i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Ramush Haradinaj e ka uruar fitoren e Donald Trump, Haradinaj ndër të tjerash përmend edhe ndihmesat që i ka bërë Trump Kosovës.
“Urime popullit amerikan për një proces zgjedhor që pasqyron vlerat e demokracisë dhe fuqinë e vullnetit të lirë të qytetarëve të tij. Një urim i veçantë për Presidentin Donald Trump për zgjedhjen e tij. Nën udhëheqjen e President Trump kemi krijuar Ushtrinë e Kosovës, jam i bindur se, nën drejtimin e tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të qëndrojnë si aleati ynë më i fortë dhe i palëkundur. Në këtë rrugëtim për konsolidimin e shtetit dhe synimin tonë afatshkurtër drejt anëtarësimit direkt në NATO, mbështetja e SHBA-së mbetet kyçe”, shkruan Haradinaj. /21Media