Opsionet për zgjedhjet: 26 janari, 2 shkurti, 9 shkurti dhe 16 shkurti

Ftesës së presidentes Vjosa Osmani për takim me liderët e partive politike për të diskutuar për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare iu përgjigjën pothuajse të gjithë duke përfshirë atë të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe disa parti të tjera, por aty mungoi kryetari i VV-së kryeministri Albin Kurti.
Presidentja tha se nuk i di arsyet përse mungoi Kurti, ndonëse siç tha, ftesa i kishte shkuar kohë më parë dhe ishte konfirmuar pjesëmarrja e tij.
Mungesën e tij kryeministri Kurti e ka arsyetuar përmes një shkrimi ku ka treguar se ka qenë i ftuar në një drekë me ambasadorët e QUINT-it.
Mos ardhjen e Kurtit në takim e kritikoi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Pavarësisht mos prezencës së përfaqësuesit të VV-së dhe të Listës Serbe, presidentja dhe kryetarët e partive të tjera që morën pjesë në takim, biseduan për katër data opsionale për mbajtjen e zgjedhjeve, por nuk u dakorduan se në të cilën duhet të mbahen.
PDK-ja LDK-ja dhe AAK-ja preferojnë që zgjedhjet të mbahen më 26 janar.
“Meqë, sipas përcaktimeve të afateve kushtetuese, në dispozicion na u ofruan katër data, ato të 26 janarit, 2 shkurtit, 9 shkurtit e 16 shkurtit; dhe në vijë me bindjet politike të Lidhjes Demokratike – se vendit i duhet sa më parë një Qeveri e re, që parandalon zhbërjen e shtetit, shëron polarizimin shoqëror, rikthen orientimin pro-perëndimor e fokusohet në zhvillim e mirëqenie qytetare, propozova datën 26 janar 2025 si datë të zgjedhjeve të ardhshme”, tha Abdixhiku.
“Propozova që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 26 Janar 2025. Kjo është data e parë në përputhje me afatet ligjore. Të njëjtin qëndrim e shprehën edhe partitë tjera opozitare”, tha Haradinaj.
Por, presidentja Vjosa Osmani tha se ka ende kohë ligjore nëse partitë politike dëshirojnë që të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Zgjedhje të jashtëzakonshme për shpërndarjen e Kuvendit kishte kërkuar PDK-së, por nuk ishte përkrahur nga partitë e tjera opozitare LDK-ja dhe AAK-ja të cilat kishin kërkuar shkarkimin e Qeverisë apo dorëheqjen e kryeministrit Kurti.
Presidentja Osmani tha se shumë shpejtë do ta caktojë datën për zgjedhje të përgjithshme./RTV21/21Media