Optimizëm i lartë të Kosova U19 në futsall para ndeshjeve me Gjermaninë dhe Maqedoninë e Veriut

Kombëtarja e Kosovës në futsall U-19 tash e pesë ditë është duke u përgatitur për ndeshjet e rrethit paraeliminator për Kampionatin Evropian, të cilat zhvillohen në Shkup më 20 e 21 janar.
Kosova bën pjesë në grup me Gjermaninë dhe Maqedoninë e Veriut, derisa tutje kualifikohet skuadra që e fiton grupin. Stërvitjet e Dardanëve U19 të futsallit po mbahen në palestrën ‘1 Tetori’ në Prishtinë, derisa ekspedita e kombëtares udhëton të mërkurën në mesditë për në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, ku do t’i zhvillojë edhe dy stërvitje tjera para përballjes së parë me Gjermaninë, të premten në orën 17:00.
Përzgjedhësi i kombëtares U19 Suad Keçi tha se vështirësia e parë ishte përzgjedhja e lojtarëve për këtë grumbullim sepse pjesa dërmuese e lojtarëve vijnë nga futbolli i madh, por u shpreh i kënaqur me punën dhe angazhimin e tyre.
“Mendoj se përgatitjet janë duke shkuar mjaftë mirë, punë është duke u bërë shumë e mirë dhe unë jam me të vërtetë shumë i kënaqur nga këta çuna që i kam në grumbullim.”, tha Keçi.
Ai tutje foli për dy kundërshtarët e radhës, Gjermaninë dhe Maqedoninë e Veriut për të cilët tha se kanë shanse të barabartë për kualifikimin, por përmendi një përparësi të vogël të tyre.
“Me siguri se tani nëse e marrim në përgjithësi do t’i luajmë dy ndeshje dhe nga ato dy ndeshje me siguri se shkoj për fitore. Mirëpo, mendimi ime real dhe ai i sinqert është 50 me 50 për të tri ekipet. Nëse e marrim ekipin e Gjermanisë, atëherë shohim se te gjermanët, edhe ata janë sikur ne. Do të thotë shumica e futbollistëve janë nga futbolli i madh, mirëpo përparësia e tyre dhe e Maqedonisë së Veriut janë se ata kanë ndoshta një përparësi te portieri ku ata e kanë portierin e futsallit që të dy kombëtaret. Mirëpo ne i kemi dy futbollist të cilët janë të futsallit dhe mendoj se me ndihmën e këtyre dy çunave dhe djelmoshave të tjerë që do të jenë në dispozicion, këta do të jenë ndihmëtarët e këtyre djemve”, shtoi Keçi.
Lojtari Jetnor Kabashi tha se megjithëse janë në dijeni të cilësive të kundërshtarëve, ata shkojnë në këto dy ndeshje me motivim të lartë dhe me synimin për t’u kualifikuar në fazën tjetër.
“Për momentin është shumë mirë, trajnerët janë shumë të mirë, djemtë po punojnë shumë. Është angazhimi maksimal sepse në grup jemi me Gjermaninë dhe me Maqedoninë e Veriut, janë ekipe shumë të mira dhe shpresojmë që do të kualifikohemi…Janë pak të forta ato, por ne do të mundohemi maksimalisht për t’u kualifikuar.”, tha Kabashi.
Odi Mehmeti, një lojtar tjetër i këtij grupi tha se në fillim e kishte të vështirë edhe t’i kuptonte rregullat e futsallit, por me kalimin e kohës ato janë bërë më të qarta dhe tani së bashku me shokët synon që të marrin rezultati pozitive nga dy ndeshjet e radhës ndaj Gjermanisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Stërvitjet janë duke shkuar në mënyrë të shkëlqyeshme. Jemi një grup i komponuar. Në fillim ka qenë pak më vështirë sepse nuk e kemi kuptuar lojën shumë mirë, por tani kemi filluar ta kuptojmë lojën dhe po shkon shumë mirë…Kemi mbajtur edhe seminar për rregullat e lojës së futsallit që t’i kuptojmë këto rregulla, edhe pse jemi lojtar të futbollit të madh, nuk e kemi pasur shumë të vështirë t’i kuptojmë…Ekipi është shumë i mirë, shpresojmë të arrijmë fitore.”, tha Mehmeti.
Në fund, trajneri Keçi foli edhe për të ardhmen e futsallit në Kosovë ku u shpreh i bindur se ajo do të jetë e ndritur dhe se futsalli mund të jetë sporti i parë kolektiv që mund të dal në Evropë
“Me këtë punë që kemi bërë, sepse edhe muajin e kaluar prej datës 9 deri me 12 kemi qenë këtu dhe kemi pasur si një test, lloj testi, unë mendoj që futsalli në Kosovë nuk do të jetë i mangët dhe mendoj se për nga sportet kolektive do të jetë një prej sporteve e cila ndoshta do të arrijë e para që të dal në Evropë dhe botë.”, tha Keçi./kp

Back to top button