Organizata gjermane që e ka hartuar draft-statutin e Asociacionit: Është bazë e mirë për diskutim

Organizata gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka hartuar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë – për të cilën gjë është rënë dakord në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Rene Schlee, nga kjo organizatë, tha se beson se ky draft “është një bazë e mirë, e cila pas publikimit meriton të diskutohet nga aktorët qeveritarë dhe joqeveritarë”.
“Ne do të organizojmë një prezantim publik të draftit në kohën e duhur”, tha Schlee për Radion Evropa e Lirë, por nuk specifikoi më shumë.
Autoritetet në Kosovë nuk e komentuan këtë lajm, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se hartimi i statutit të Asociacionit është punë e ekipit menaxhues, në bazë të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, dhe jo e një organizate joqeveritare.
Duke folur për Televizionin Happy në Serbi, ai pyeti se si mund të flasë një organizatë joqeveritare gjermane për kompetencat e Asociacionit.
“Kush jeni ju që të merreni me këtë? Është çështje e serbëve dhe e shqiptarëve – nëse është e dikujt. Pse duhet të përziheni në atë se çfarë do të bëjnë serbët në komunat e tyre”, tha Vuçiq.
Edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha këtë javë se drafti i statutit të Asociacionit duhet të bëhet nga ekipi menaxhues, e jo nga një organizatë joqeveritare.
“Përpjekja e një organizate joqeveritare për të marrë përgjegjësi për hartimin e statutit të Asociacionit ia humb kuptimin dialogut dhe shkel marrëveshjet që e përcaktuan këtë çështje”, tha Petkoviq.
Friedrich-Ebert-Stiftung është një fondacion politik gjerman, që promovon një shoqëri të lirë, të bazuar në vlerat e demokracisë. Organizata ka zyrat e saj përfaqësuese në më shumë se 100 vende dhe mbështet politikën e bashkëpunimit paqësor.
Për formimin e Asociacionit është rënë dakord në dialogun që ndërmjetëson Bashkimi Evropian, por çështja, prej vitesh, vazhdon të jetë pengesë në normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd.
Kosova e refuzon formimin e Asociacionit me arsyetimin se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe se nuk mund të krijojë asociacione njëetnike. Serbia, në anën tjetër, e kushtëzon normalizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve me Kosovën pikërisht me formimin e Asociacionit.
Përfaqësuesi i organizatës gjermane për Kosovën, Rene Schlee, thotë për Radion Evropa e Lirë se statuti është hartuar në bazë të informatave publike për tema me rëndësi publike dhe thekson se një gjë e tillë nuk është kërkuar nga BE-ja, Qeveria e Gjermanisë, SHBA-ja apo ndonjë palë tjetër.
Në tetor të vitit të kaluar, disa media në Kosovë publikuan draft-statutin e Asociacionit, duke pretenduar se ai është hartuar nga ekspertë gjermanë.
Schlee konfirmon se Friedrich-Ebert-Stiftung, në bashkëpunim me Institutin Evropian për Paqe, ka punuar në atë version të statutit, por thotë se kur u publikua vitin e kaluar, ai ishte vetëm një dokument pune që tashmë është “vjetruar”.
Ai thotë se nuk dëshiron të zbulojë pjesë nga versioni i ri i draft-statutit, por thekson se është i harmonizuar me Kushtetutën e Kosovës.
“Një nga rezultatet e dëshiruara të punës sonë është hartimi i një statuti që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, thotë Schlee.
Detaje nga “versioni i vjetruar” i draft-statutit
Në draftin origjinal të statutit shkruhej se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është “subjekt juridik, i cili formohet në përputhje me ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe Kushtetutën e Kosovës”.
Sipas atij dokumenti, statuti i Asociacionit do të duhej të miratohej nga Qeveria e Kosovës me akt ligjor, në përputhje me Kushtetutën.
Asociacioni do t’i kishte simbolet e veta, përfshirë një stemë dhe një flamur, që do të dizajnoheshin nga bordi i drejtorëve të Asociacionit dhe do të ishin në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Gjithashtu, sipas atij dokumenti, Asociacioni do të mund të shpërndahej me vendim të Kuvendit të Kosovës me 2/3 e votave.
Si objektiva të Asociacionit renditeshin: forcimi i demokracisë lokale, zhvillimi i ekonomisë lokale, mbikëqyrja në fushën e arsimit, shëndetësisë parësore dhe dytësore, planifikimit rural dhe urban, e të tjera.

Back to top button