OSBE-së konfirmon gatishmërinë për bashkëpunim me KPM

 

Komisioni i Pavarur i Mediave, ka përmbushur obligimin ligjor dhe ka dërguar për miratim në Qeveri strategjinë për digjitalizim katër herë në vitin 2019, por asnjëherë nuk ka marrë një përgjigje.

Ndër të tjera, që nga viti 2017 nga Kuvendi i Kosovës është iniciuar amandamentimi, por që nuk është finalizuar asnjëherë dhe përsëri tani është në programin legjislativ të Qeverisë, ndërkaq KPM, bëri të ditur se ligji i ri duhet gjithsesi të harmonizohet me direktivën AVMS të BE-së dhe të adresojë të gjitha komentet që ata i kanë dërguar më herët për këtë projektligj.

Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport në vizitën e tij sot në Komisionin e Pavarur të Mediave, foli për bashkëpunimin mes OSBE-së dhe KPM-së.

Davenport bëri të ditur se është i informuar në vështirësitë që ka hasur KPM që nga fillimi i punës, prandaj çmon ecurinë e procesit deri më tani.

Duke vlerësuar rëndësinë e institucionit të KPM-së, Davenport ka shprehur përkushtimin e tij në përkrahje të vazhdueshme në zbatimin e standardeve më të larta në fushën e rregullimit të shërbimeve audio-vizuele.

Ndërkohë që Kryeshefi Ekzekutiv, Xhevat Latifi theksoi se sfida kryesore është pavarësia financiare e KPM-së si dhe përfundimi i procesit të kalimit në transmetim digjital.

Po ashtu, Latifi pret mbështetje nga OSBE në adresimin e sfidave nëpër të cilat kalon KPM. Me theks të vecantë KPM, ka vazhduar angazhimet sa i përket edukimit medial ku ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi më Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Institutin e Mediave të Kosovës, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Agjencinë për barazi gjinore.

Davenport, theksoi se sa i përket zhvillimeve në fushën e mediave, e gjithë bota është duke u sfiduar në mënyra të shumta të keqpërdorimit të lirisë së shprehjes, prandaj është impresionuese puna e zhvilluar në Kosovë.

Latifi falënderoi ambasadorin për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme që OSBE i ka ofruar KPM-së./21Media

Back to top button