OSHC thirrje Qeverisë: Të ruhet shëndeti publik

 

 

Organizatat e Shoqërisë Civile i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë për menaxhim të duhur të procesit të vaksinimit, në mënyrë që të ruhet shëndeti publik.

Sipas 12 organizatave të cilat e kanë nënshkruar këtë thirrje, ftesa e MSH-së për vaksinim të personave mbi 65 vjeç, pa një plan dhe orar të qartë të vaksinimit, rrezikon shëndetin publik.

“Ne, organizatat e shoqërisë civile të poshtëshënuara, me shqetësim po ndjekin situatën e krijuar si pasojë e vaksinimit të grupmoshës mbi 65 vjet në sallën 1 tetori në Prishtinë, si dhe në rajonet tjera, pas një thirrje të Ministrisë së Shëndetësisë (MSh-së) të publikuar këtë të Mërkure. Kjo ftesë nga MSh-ja, pa një plan dhe orar të qartë të vaksinimit të personave të kësaj grupmoshe, shkaktoi radhë të gjata dhe grumbullime të cilat rrezikojnë direkt shëndetin publik e sidomos të një grupmoshe më të rrezikuar nga Covid 19. Një qasje e tillë, pa një planifikim paraprak detyrimisht do të rezultojë me rrezik të shtuar për infektime të reja dhe është absurde që të njëjtat të shkaktohen në situatën në të cilën gjendemi”, thuhet në komunikatën e OSHC-së.

Sipas tyre, ministria ka të gjitha kapacitetet për ta menaxhuar këtë situatë dhe është e pakuptueshme se si e njëjta nuk ka arritur të krijojë një sistem dhe infrastrukturë adekuate për faktin që procesi i vaksinimit do shkojë duke u shtuar dita ditës.

“Që ky proces të implementohet ashtu si duhet, MSh-ja duhet të mësoj nga vendet e rajonit dhe të decentralizojë procesin e vaksinimit duke krijuar qendra të reja në Prishtinë, dhe jo vetëm. Një gjë e tillë është absolutisht e bëshme dhe do të evitonte radhët e gjata, përkatësisht do të ruante shëndetin publik të qytetarëve të Kosovës. Në këtë drejtim, ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë që: Të ketë seriozitet të shtuar në organizim në tërë rajonet e Kosovës ashtu që, të evitohen me çdo kusht radhët e gjata të pritjes të cilat medoemos do të rezultojnë me infeksione të shtuara; Të shtohen qendrat e vaksinimit në rajonet më të mëdha, ashtu që të decentralizohet i tërë procesi i vaksinimit; Të mundësohet qasje e drejtë dhe e barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës përmes metodave të kombinuara. Pra të u ofrohen mënyra të ndryshme të aplikimit (online, fizike, etj) në mënyrë që të kenë qasje të gjithë, përfshirë këtu të moshuarit që nuk kanë njohuri në përdorim të mjeteve të komunikimit online”, thuhet më tutje në komunikatë.

Organizatat të cilat e kanë bërë këtë thirrje janë: Grupi për Studime Juridike dhe Politike – GLPS, Organizata ÇOHU!, Instituti KIPRED, EC Ma Ndryshe, Lëvizja FOL, Instituti Demokratik i Kosovës – KDI , Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile – KCSF, Demokraci për Zhvillim – D4D, Demokracia Plus – D+, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA, Instituti GAP dhe Fondi për Zhvillim Komunitar – CDF./21Media

Back to top button