Osmani: Albin Kurti do të jetë kryeministër
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani sonte deklaroi se me guxim dhe me vullnetin e qytetarëve lideri i VV-së, Albin Kurti do të jetë kryeministër i Kosovës.
Sipas Osmanit, kthesat politike duan kurajo e guxim.
“Në historinë e popujve vota ka dy funksione: për ta ndëshkuar një model qeverisës dhe për ta hapur një kapitull të ri politik. Më 14 shkurt me kurajo dhe guxim, e me vullnetin tuaj, Albin Kurti do të jetë kryeministër!”, shkroi Osmani në facebook.
Ky reagim i Vjosa Osmanit erdhi pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila e la jashtë listës kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurtin.
Gjykata Supreme njoftoi sot se ka pranuar pjesërisht ankesën e ushtruar nga Lëvizja Vetëvendosje në lidhje me heqjen nga lista të pesë kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Ankesa e ushtruar nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, është pranuar pjesërisht e themeltë nga kolegji i Gjykatës Supreme. Është ndryshuar pjesërisht vendimi i PZAP-së, Anr.17/2021, dhe vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Nr.244-2021, lidhur me certifikimin e kandidatëve për deputetë, duke urdhëruar KQZ-në, që kandidatët për deputetë Liburn Aliu dhe Labinotë Demi- Murtezi, t’i përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë. Ndërkaq, është refuzuar pjesërisht e pabazuar ankesa e LVV-së, duke vërtetuar vendimin e PZAP-së”, u bë e ditur në njoftimin e Gjykatës Supreme./21Media