Osmani dhe Vuçiqi përballen sot në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në Këshillin e Sigurimit, në seancën që pritet të mbahet sot me fillim nga ora 16:00, sipas kohës lokale në Prishtinë.

Osmani në këtë seancë do të përballet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Presidenca ka njoftuar se Osmani pritet të flasë për progresin, zbatimin e reformave, të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit si dhe fusha të tjera me rëndësi për Kosovën.

Tutje bëhet e ditur se Osmani do të flasë për “domosdoshmërinë për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë”.

“Në seancën e KSKB-së, Presidentja Osmani pritet të flasë për progresin, zbatimin e reformave, të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit si dhe fusha të tjera me rëndësi për Kosovën. Presidentja po ashtu do të flasë për domosdoshmërinë për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë”, ka shkruar presidenca në “Facebook”.

Vuçiqi nga ana tjetër, ka thënë se Serbia do t’i vazhdojë përpjekjet e saj, pavarësisht “poshtërimit” që i është bërë deri më tani.

“Ne do të vazhdojmë të luftojmë për Serbinë, për popullin tonë, për jetën dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, që të shkojmë me kokën lart, pa marrë parasysh se ata u përpoqën të na poshtërojnë me dhunë”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.

Back to top button