Osmani: Do të kujdesem që trashëgimia politike e Rugovës, miqësitë që ka krijuar të ruhen e kultivohen tutje

Presidentja Vjosa Osmani, sot ka kujtuar ish-Presidentin Ibrahim Rugova në ditëlindjen e tij.
Presidentja ka theksuar se Rugova, bashkë me shumë burra e gra që kanë dhënë gjithçka për Kosovën, e kanë rrënjosur thellë në shpirtrat tanë këmbënguljen për ta arritur lirinë e për ta krijuar shtetin e pavarur.
Osmani ka deklaruar se si presidente e vendit do të kujdeset maksimalisht që trashëgimia politike e Rugovës, miqësitë që i ka krijuar, sidomos ajo me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me vendet e BE-së dhe vendet e tjera demokratike anekënd botës, të ruhen e të kultivohen tutje.
“Ai insistonte që për ta arritur lirinë fizike, duhej kultivuar para së gjithash lirinë e brendshme, si premisë mbi të cilën do ta realizonim lirinë për veten e për të tjerët. Ai na la trashëgim ura miqësie, të cilat i krijoi gjithandej globit, duke e vulosur përfundimisht aleancën e qëndrueshme e të përhershme të shqiptarëve me vendet demokratike. Këto, sikur dihet, i ndihmuan Kosovës që përfundimisht ta prekte ëndrrën për të jetuar e lirë, ëndërr që u bë realitet më 1999, me luftën çlirimtare të Kosovës.”, ka shkruar ajo në Facebook.
Sipas Osmanit, Kosova do t’i jetë përherë mirënjohëse Rugovës, kolosit të dijes, të kulturës e të politikës.
Sot është datëlindja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai ishte lindur më 2 dhjetor 1944 në Cërcë të Istogut. Dr. Ibrahim Rugova ishte zgjedhur President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe ishte rizgjedhur edhe më 2004. Dr. Ibrahim Rugova ka vdekur më 21 janar 2006 në Prishtinë dhe është varrosur në Bregun e Diellit me nderimet më të mëdha të popullit të Kosovës.Në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2007, Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu e kishte dekoruar Presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”./21Media

Back to top button