Osmani: Do të punojmë që të krijohen kushte sa më të volitshme për ushtarët

 

Me rastin e “Ditës së Forcës”, Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë vizituar të hënën kazermën “Adem Jashari”

Osmani, ka premtuar se do të punohet për krijimin e kushteve me të mira për ushtarët.

“Si komandante supreme e kësaj ushtrie kudo në çdo cep të botës shihet sa me admirim vlerësohen sukseset e kësaj ushtrie, prandaj jam jashtëzakonisht krenare për të. Do të punojmë që të krijohen kushte sa më të volitshme të mirëqenies, të trajnimeve e shkollimit shtesë, shëndetësore në mënyrë që çdo ushtar të ketë motiv të punojë me vullnet për ushtrinë tonë”, ka thënë komandantja supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ai e ka quajtur 27 nëntorin ditë krenarie për të gjithë qytetarët.

Kurse, Kryemministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë  sot kanë vizituar ekspozimin e pajisjeve dhe armatimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që sipas tij, është Forcë e bashkimit dhe krenarisë së vendit.

“Është një ditë e gëzimit, por në të njëjtën kohë përkujtojmë ata që sakrifikuan dhe me optimizëm ecim drejt së ardhmes kur e dimë se sa të sigurt jemi me ushtrinë tonë. Qeveria në më pak se tri vjet ka bërë më shumë se dyfishim të buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes, ka bërë trefishim të investimeve në armatim dhe më shumë se katërfishim të trajnimeve dhe shkollimit të oficerëve tanë jashtë vendit. Për më pak se 32 muaj kemi dërguar 3459 ushtarë e oficerë jashtë vendit. Ne e kemi të qartë se FSK-ja është trashëgimtare e UÇK-së dhe nesër e kemi 28 nëntorin që do ta shënojmë. Andaj me krenarinë e lavdishme, me përplot optimizëm ecim drejt të ardhmes”, ka thënë ai.


Dita e Forcës, kazermat e FSK-së hapen për qytetarë

Me rastin e Ditës së Forcës, Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, do të organizojnë sot “Ditën e hapur” nga ora 10:00 deri 13:00.

Manifestimi qendror mbahet në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ku do të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë shtetërorë, si dhe përfaqësuesit ushtarakë e diplomatikë të vendeve partnere me mision në vendin tonë.

Në këtë ditë festive, të gjithë qytetarët janë të mirëpritur në të gjitha kazermat e FSK-së, si në Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozatin, ku do të ekspozohen pajisje, armatime, demonstrime si dhe aktivitete të ndryshme, që dëshmojnë kapacitetet e FSK-së.

Gjithashtu, sot nga ora 19:00, mbahet koncerti i bendit frymor të FSK-së dhe Filarmonisë së Kosovës në Sallën e Kuqe- Pallati i Rinisë.

Back to top button