Osmani e dekoroi kryeministrin kroat me Medaljen Presidenciale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka pritur në takim kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, të cilin e ka dekoruar me Medaljen Presidenciale “Shën Tereza”, me motivacionin për kujdesin, shpejtësinë e reagimit, solidaritetin dhe humanizmin e shtetit kroat në rastin e aksidentit tragjik të 25 korrikut të këtij viti në afërsi të Sllavonski Brodit, ku kanë vdekur 10 qytetarë të Kosovës dhe janë lënduar 26 të tjerë.

Siç ka informuar Presidenca, Osmani ka dekoruar edhe Spitalin e Përgjithshëm “Dr.Josip Benčević” të Sllavonski Brodit për humanizmin, përkushtimin dhe profesionalizimin e dëshmuar në trajtimin e të aksidentuarve.

“Në takim me kryeministrin Plenkoviq, Presidentja Osmani i ka vlerësuar të shkëlqyeshme marrëdhëniet me shtetin kroat dhe është angazhuar për thellimin e mëtejmë të tyre. Presidentja ka falënderuar z.Plenkoviq edhe për mbështetjen që shteti i tij i ka dhënë Kosovës me një sasi vaksinash anticovid.”, është bërë e ditur në komunikatë.

Osmani ka theksuar se roli i Kroacisë për Kosovën është si partner strategjik rajonal dhe njëherësh edhe si mbështetëse e rrugës evropiane të vendit tonë. Ajo ka përmendur se të dy shtetet kanë intensifikuar bashkëpunimin në fushën e integrimit evropian.

Ndërkaq duke folur për situatën aktuale politikë në Kosovë e më gjerë, Osmani ka përmendur rrezikun e destabilizimit të rajonit nga shtrirja e ndikimit rus dhe eksponentë të tyre në Serbi.

Sipas Osmanit, dialogu më Serbinë duhet të marrë fund me njohjen e ndërsjellë, teksa ka hedhur poshtë çfarëdo ideje, e cila synon trajtim jo të barabartë të Kosovës në kontekstin rajonal.

Ajo ka theksuar se Kroacia është vend mik, nga i cili Kosova pret mbështetje për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, por edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

Aktualisht Kosova dhe Kroacia kanë nënshkruar rreth 30 marrëveshje, memorandume dhe protokolle bashkëpunimi.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka potencuar mundësitë e bashkëpunimit më fushën e mbrojtjes, politikës së jashtme, ekonomisë, si dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm.”, është bërë e ditur tutje në komunikatën e Presidencës./21Media

Back to top button