Konjufca falënderoi Plenkoviqin për përkrahjen që Kroacia i ka dhënë Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet bilaterale, liberalizimin e vizave, integrimin evropian, shkëmbimet ekonomike, zhvillimet politike në rajon dhe tema të tjera me interes të përbashkët.
Gjatë takimit, i cili u karakterizua nga një frymë shumë miqësore dhe e pajtimit të plotë rreth interesave reciproke të bashkëpunimit, Konjufca ka vlerësuar lartë marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe ka falënderuar Plenkoviqin për përkrahjen që shteti kroat i ka dhënë ndër vite Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit.
Konjufca po ashtu i ka shprehur mirënjohje të veçantë kryeministrit kroat për kujdesin dhe ndihmën e ofruar me rastin e aksidentit tragjik të autobusit me bashkatdhetarët tanë në Sllavonski Brod.
Duke e konsideruar Kroacinë si partner strategjik të vendit tonë, i pari i Kuvendit ka ritheksuar se fati i popujve të rajonit tonë është i përbashkët dhe se të tilla duhet të jenë edhe qëllimet, prandaj shteti ynë është i përkushtuar për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Konjufca ka nënvizuar se orientim afatgjatë i Republikës së Kosovës mbetet perspektiva evropiane dhe anëtarësimi në NATO e organizata tjera ndërkombëtare.
Plenkoviq ka konfirmuar mbështetjen e palëkundur të Kroacisë në rrugën e integrimit euro-atlantik të Kosovës, si dhe përkrahjen për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e shtetit tonë në organizata ndërkombëtare.​/21Media

Back to top button