Me rastin e 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani së bashku me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti kanë bërë homazhe pranë varrit të ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

“E nderuam arkitektin e Pavarësisë së Kosovës, presidentin historik, Ibrahim Rugova. Njeriun që sublimoi dhe unifikoi kërkesat e shqiptarëve të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet. Njeriu që i hapi dyert e mbarë botës në mënyrë që zëri ynë, zëri i popullit të Kosovës të kumbojë dhe dëgjohet kudo”, tha Osmani.

E lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kandidati për kryeministër, Albin Kurti tha se sot kujtojmë personalitetet politike, historike dhe kombëtare në faza dhe mënyra të ndryshme.

“Sot ne kujtojmë personalitetet politike, historike dhe kombëtare në faza dhe mënyra të ndryshme. Andaj ne jemi te presidenti i parë, i republikës së parë të Kosovës i cili është edhe presidenti i parë i Kosovës së çliruar për të vazhduar me aktivitete të tjera. Në veçanti falënderojmë qytetarët e Kosovës që kanë kontribuuar për këtë ditë të rëndësishme, përvjetorin e 13 të cilën e shënojmë sot”, tha ai.