Osmani: Është thelbësore që të qëndrojmë krah për krah përballë agresionit rus

Vizita e presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq në Kosovë, përveçse është historike në aspektin e raporteve bilaterale, po ndodh në një moment të rëndësishëm për shtetin tonë dhe Ballkanin Perëndimor.
Kështu deklaroi presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët me homologun nga Mali i zi.
“Si dy shtete demokratike dhe liridashëse është thelbësore që të qëndrojmë krah për krah përballë agresionit rus si dhe tendencave destabilizuese të satelitëve të Rusisë këtu në rajonin tonë”, tha Osmani, shkruan rtv21.tv
“Gjatë takimit diskutuam përkushtimin tonë të palëkundur për paqe dhe stabilitet në rajonin tonë, për rëndësinë e progresit në bashkëpunimi tonë ekonomik, por edhe për të ardhmen tonë të përbashkët në strukturat euroatlantike”, shtoi ajo.
Presidentja theksoi se janë krenar për raportet e shkëlqyeshme si dy shtete të pavarura dhe sovrane, të cilat bëhen akoma më të veçanta për shkak të raporteve ndërnjerëzore, por edhe si rezultat i angazhimit të komunitetit shqiptar në Mal të Zi dhe komunitetit malazez që jeton në Kosovë.
Osmani tutje tha se me Malin e Zi ndajmë një vizion të përbashkët dhe të qartë për të ardhmen euroatlantike.
“Ramë dakord për të thelluar bashkëpunimin për të sjellë më shumë paqe dhe stabilitet në rajonin tonë”, tha ajo.
Osmani tha se ka kërkuar mbështetjen e Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizatat e tjera./21Media

Back to top button