Osmani flet për aplikimin në organizata ndërkombëtare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka paralajmëruar aplikimin në organizata ndërkombëtare, mirëpo ka theksuar se një gjë të tillë do ta bëjnë në koordinim të plotë me ShBA-në dhe aleatët në BE.
Duke folur për marrëveshjen e Uashingtonit, Osmani gjatë një organizimi në Gjermani tha se njohja ndërkombëtare e Kosovës është në favor për stabilitetin rajonal.
“Moratoriumi ka mbaruar tani dhe po punojmë së bashku me partnerët tanë amerikanë sa i përket agjendës sonë për njohje dhe ofertave të organizatave ndërkombëtare. Më lejoni të jemi e qartë, nuk mendoj që mund të anëtarësohemi në organizata ndërkombëtare nëse nuk koordinohemi me aleatët tanë[…]nuk do të shkojmë në krye veti pasi nuk dëshirojmë të dështojmë. Do të bëjmë një plan, do të aplikojmë kur të jemi gati bashkë me ShBA dhe BE partnerët, pasi dëshirojmë të kemi sukses, pasi nuk është në interes vetëm tonin, por edhe rajonit që të na kenë neve në këto organizata ndërkombëtare”, ka thënë ajo.
Tri ditë më parë, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bëri të ditur se Kosova nuk do të aplikojë në Interpol gjatë këtij viti. Ai tha se janë duke bërë të gjitha përgatitjet që vitin e ardhshëm Kosova të bëhet anëtare e organizatës ndërkombëtare të sigurisë.
Fushata e Serbisë pat penguar që Kosova të anëtarësohej në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) dhe në Agjencinë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO). Përveç INTERPOL-it dhe UNESCO-s, Kosova nuk është anëtare as e Organizatës së Kombeve te Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
Ndërsa, organizatat, në të cilat është anëtarësuar Kosova, janë: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, Federata Botërore e Futbollit, Federata Evropiane e Futbollit, Komiteti Olimpik, Organizata Botërore e Doganave, Marrëveshja për Tregti të Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA). /21Media 

Back to top button