Osmani: Fuqizimi i grave gurthemel i përparimit tonë të përgjithshëm

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në ceremoninë e nënshkrimit të granteve të mbështetur nga USAID, ka thënë se fuqizimi i grave është gurthemel i përparimit tonë të përgjithshëm.

“Në fushën e ngritjes së zhvillimit ekonomik fuqizimi i grave qëndron si një gurthemel i përparimit tonë të përgjithshëm. Arritjet e sipërmarrëseve gra në Kosovë nuk janë vetëm suksese individuale,ato janë arritje kolektive që ngrisin dhe fuqizojnë të gjithë shoqërinë tonë”, tha Osmani.

Ndryshe ceremonia shënon nënshkrimin zyrtar të 53 granteve, me një vlerë totale prej rreth $530,000, nga të cilat përfitojnë bizneset në pronësi të grave dhe minoriteteve.

Kjo ngjarje përbën një komponent të rëndësishëm të Aktivitetit Zhvillimi Gjithëpërfshirës Ekonomik të USAID-it, një partneritet pesëvjeçar me Fondin për Zhvillim Komunitar (CDF).

Objektivi kryesor është që të forcohen bizneset, të përmirësohen kapacitetet e tyre prodhuese dhe shërbyese si dhe të përmirësohen ato në aspektin konkurrues në tregjet lokale dhe rajonale.

Pas ceremonisë së nënshkrimit, do të ketë një panair produktesh ku do të prezantohen ofertat nga 25 biznese në pronësi të grave dhe minoriteteve.

Back to top button