Osmani: Integrimi evropian ishte kryefjala e gjithë takimit

(Lajm i përditësuar)


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se synim i përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor është që të kenë proces të përshpejtuar të integrimit në Bashkimin Evropian, të bazuar në meritokraci.

Në një prononcim për media pas takimit në kuadër të Procesit të Brdo-Brione, presidentja ka thënë se ka ardhur koha që edhe BE-ja të ndërmarrë hapa konkret sa i përket anëtarësimit të vendeve të rajonit.

Ajo ka thënë se “nuk ka pas mosdakordim për ato që janë propozuar” dhe se integrimi evropian ishte kryefjala e gjithë takimit.


Osmani: Masat e BE-së ndaj Kosovës nuk janë proporcionale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se gjatë takimeve bilaterale që ka zhvilluar gjatë ditës së sotme, ka thënë se temë ka qenë edhe masat e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës.

Osmani, mes tjerash potencoi se ka kërkuar nga shtetet si Kroacia që të iniciojnë hapat e parë për largimin e këtyre masave.

“Unë i kam diskutuar në takime bilaterale që kisha në radhë të parë me presidentin Pendarovskin ku e informova për hapat që Republika e Kosovës ka ndërmarrë për shtensionim të situatës dhe sfidat që po përballemi. Gjithashtu me presidentin Milanoviq diskutuam mbi të gjitha që BE-ja që t’i largojë masat në raport me Kosovën që nuk janë proporcionale. Presim që shtetet që na kanë përkrahur aq fortë si Kroacia të ndërmarrë hapat e parë për të iniciuar largimin e këtyre masave”, tha ajo.


Liderët dakordohen t’i dyfishojnë përpjekjet për të ndalur ikjen e të rinjve

Nikoqirët e takimit të Procesit Brdo-Brione që është mbajtur në Shkup, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ai i Kroacisë, Zoran Milanoviq, dhe presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, kanë mbajtur një konferencë pas takimit.

Pendarovski ka thënë se kjo është një ditë e rëndësishme për ta. Sipas tij Procesi Brdo-Brion është mekanizmi i vetëm për bashkëpunim në rajon në nivel të shteteve.

Ai ka thënë se me përpjekje të përbashkëta duhet të veprojmë që Ballkani Perëndimor të kthehet tërësisht në agjendën evropiane dhe të mbetet aty.

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka thënë se dialogu në mes të vendeve të rajonit është i rëndësishëm. Sipas tij atmosfera në këtë takim ka qenë më e mirë se në dy takimet e kaluara.

Ndërsa presidentja e Sllovenisë Natasha Pirc Musar ka thënë se më tepër vëmendje i kanë kushtuar BE-së dhe se shteti i saj i mbështet të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin e tyre drejt BE-së.


Osmani në Samitin e Brdo-Brionit: Kosova, rol aktiv në formësimin e së ardhmes së rajonit

Në Shkup të Maqedonisë së Veriut po mbahet Samiti i Brdo-Brionit, në të cilën po marrin pjesë krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë samit është e dhe presidentja Vjosa Osmani.

Osmani, përmes një postimi në rrjete sociale, falënderoi presidentët nikoqirë të këtij samiti, Pendarovski, Musar dhe Milanoviq për mirëseardhjen e tyre në fillim të takimit të liderëve të procesit Brdo-Brijunit.

“Kosova ka rol aktiv në formësimin e së ardhmes së rajonit dhe kontribut përmbajtësor për rrugën e përbashkët euro-atlantike”, shkroi ajo shkurt.

Në sesionin e përbashkët me liderë të rajonit, është paralajmëruar se Osmani do ta mbajë fjalim, ndërkaq më pas do të zhvillojë takime bilaterale me krerët e disa shteteve pjesëmarrëse.

Temat qendrore të takimit të sivjetmë janë përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në BE, luftimi dhe zvogëlimi i pasojave nga ndryshimet klimatike në rajon, si dhe krijimi i kushteve për qëndrimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor.


Nis procesi i Brdo-Brione në Shkup

Ka filluar takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimorë në kuadër të Procesit Brdo-Brione që po mbahet në Shkup, Maqedoninë e Veriut.

Në këtë takim nga Kosova po merr pjesë presidentja, Vjosa Osmani, e nga Shqipëria, presidenti Bajram Begaj.

Pjesë e takimit është edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.


Osmani takohet edhe me homologun kroat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani para nisjes së punëve në Procesin e Bërdo-Brionit është takuar me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviqin.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se gjatë takimit me homologun e saj kroat Zoran Milanoviq, kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit.

Osmani, mes tjerash tregoi se e ka falënderuar Milanoviqin për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë Kosovës.

“E falënderova presidentin Milanoviq për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë për Kosovën dhe për përpjekjet tona drejt integrimit euroatlantik. Një mundësi e mirë për të diskutuar zhvillimet në rajon dhe hapat për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona”, shkroi Osmani


Osmani takohet me Pendarovskin në kuadër të Procesit Brdo-Brione

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Takimi është zhvilluar në kuadër të Procesit Bërdo-Brionit që po mbahet në Shkup.

Procesi i Bërdo-Brion është një nismë rajonale e bashkëthemeluar nga presidentët slloven dhe kroat në vitin 2010.


Shkupi mbledh liderët e Ballkanit Perëndimor

Në Shkup të Maqedonisë së Veriut do të mbahet samiti i krerëve të shteteve në procesin e Bërdo-Brionit.

Në këtë organizim merr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në fokus të takimit të sivjetshëm të liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brionit janë integrimi evropian, ndryshimet klimatike dhe emigracioni i të rinjve. Qëllimi kryesor i procesit është integrimi i plotë i vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian, stabilizimi i situatës në Ballkanin Perëndimor duke forcuar bashkëpunimin rajonal dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura.

Vendet pjesëmarrëse janë edhe: Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi.

Samiti i BBërdo-Brionit është një organizim shumëpalësh vjetor në Ballkanin Perëndimor, i iniciuar në vitin 2013 nga presidenti slloven Borut Pahor dhe ai kroat Ivo Josipoviq.

Back to top button