Osmani: Jusufi, Bardhoshi e Kadriu hyjnë në histori dhe mbeten përjetësisht aty

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar sot kullën e familjes Gërvalla në Dubovik, së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, si dhe ka bërë homazhe të varrezat e Jusuf e Bardhosh Gërvalles, e Kadri Zekës.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se 40 vjet më parë, aktiviteti patriotik i tyre u ndal dhunshëm në një atentat në Gjermani.
“Secila kohë i ka heronjtë e vetë dhe secili popull u falet atyre. Sot, nderuam kujtimin për heronjët tanë të përhershëm, Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën. Dyzetë vjet më parë, aktiviteti patriotik i tyre u ndal dhunshëm në një atentat në Gjermani, ku të tre heronjtë tanë u vranë nga UDB-ja e Serbisë”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Tutje, Presidentja e vendit tha se kauza e vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës vazhdoi ndër breza dhe u kurorëzua më 17 shkurt 2008, kur Kosova u shpall Republikë e pavarur e sovrane.
“Jemi krenar për këtë brez heronjsh dhe përulemi para veprës së tyre. Kauza e tyre vazhdoi ndër breza dhe u kurorëzua më 17 shkurt 2008, kur Kosova u shpall Republikë e pavarur e sovrane. Sot teksa kujtojmë këta patriotë, kemi mundësinë të reflektojmë për rrugën e zorshme, të cilën e ka kaluar populli ynë deri në bërjen e shtetit. Kjo rrugë ishte e mundimshme, por edhe e lavdishme.Njerëzit si Jusufi, Bardhoshi e Kadriu njëherë hyjnë në histori në mënyrë meritore dhe mbeten përjetësisht aty!”, ka shkruar tutje Presidentja.
Ndryshe, 17 janari i vitit 1982, është dita kur u vranë në një atentat vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.  Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë./21Media

Back to top button