Osmani: Këngët e Pagarushës do të mbeten vlerë e patjetërsueshme e identitetit tonë

Sot ka vdekur Nexhmije Pagarusha

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së Pagarushës, miqve të saj dhe gjithë popullit të Kosovës, me rastin e ndarjes nga jeta të ikonës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha.

“Sot, me dhimbje të madhe, mësova se është ndarë nga jeta ikona e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha. Për dhjetëvjetësha të tërë, me zërin e saj kumbues, ajo e kultivoi muzikën e mirëfilltë shqipe, duke u shndërruar në mbretëreshën e saj.  Nga “Baresha” te “Zambaku i Prizrenit”, këngët e saj do të mbeten pjesë e trashëgimisë sonë kulturore dhe vlerë e patjetërsueshme e identitetit tonë.  Ne e kemi rritur shtatin duke i dëgjuar e ridëgjuar perlat e “Bilbilit të Kosovës”. Pavarësisht që prej vitesh ajo nuk ishte pjesë e skenës, ikja fizike e saj nga kjo botë, lë boshllëk të madh në muzikën dhe kulturën shqiptare në përgjithësi.  Shëmbëlltyra e Nexhmije Pagarushës do të kujtohet përjetësisht me respekt të veçantë, ndërsa zëri unik e i papërsëritshëm dhe këngët që ajo i këndoi, do të jenë gjithëherë të pranishme në kujtesën e brezave. Duke ndarë dhembjen bashkë me Ju, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, ka shkruar Osmani.

Ikona e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha ka vdekur sot rreth orës 10:00 në moshën 86 vjeçare./21Media

Back to top button