Osmani kërkon mbështetjen e Islandës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka kërkuar Islandës mbështetje për Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Këtë ajo e ka bërë gjatë takimit që ka zhvilluar me presidentin islandez Guðni Thorlacius Jóhannesson sot në Rejkjavik.
“Diskutuam marrëdhëniet tona të mira ndërshtetërore dhe gatishmërinë e përbashkët për t’i thelluar ato. Në diskutim me presidentin Jóhannesson, kërkova që mbështetja e palëkundur e Islandës për Kosovën të vazhdojë edhe në avancimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, përgjatë presidencës islandeze.Dy vendet tona janë lidere në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe ndajnë vizionin e njëjtë për një Evropë paqësore, të sigurt dhe demokratike.”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Islandë, është takuar edhe me kryeministren Katrín Jakobsdóttir, me të cilën po ashtu ka diskutuar veçanërisht për shtyrjen përpara të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Europës, meqë aktualisht Islanda ka Presidencën e KE./21Media