Osmani kërkon reagim të unifikuar nga ndërkombëtarët për lirim të menjëhershëm të policëve

Presidentja e Kosovës , Vjosa Osmani theksoi rëndësinë e reagimit të unifikuar nga komuniteti ndërkombëtar me qëllim të lirimit të menjëhershëm të policëve që po mbahen në Serbi.
Ajo këtë e bëri gjatë takimit me një delegacion të ambasadorëve dhe zyrtarëve të lartë finlandez të cilët po qëndrojnë në Kosovë në një vizitë pune.
“Presidentja Osmani foli edhe për zhvillimet e fundit në vend, me ç’rast e konfirmoi edhe një herë përkushtimin e Kosovës për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon, në koordinim dhe bashkëpunim edhe me aleatët. Ajo foli edhe për tendendcat e vazhdueshme destabilizuese nga ana e Serbisë dhe vuri theks tek rëndësia e ballafaqimit me drejtësinë të grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia e që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët. Me këtë rast, në takim u diskutua edhe për tre policët e kidnapuar thellë në territorin e Republikës së Kosovës, gjë që Presidentja Osmani e vlerësoi si akt të pastër të agresionit nga ana e Serbisë dhe theksoi rëndësinë e reagimit të unifikuar nga komuniteti ndërkombëtar me qëllim të lirimit të menjëhershëm të policëve që po mbahen padrejtësisht në Serbi”, thuhet në njoftimin e Presidencës./21Media