​Osmani kërkon thellimin e bashkëpunimit Kosovë-Gjermani në siguri

Presidentja e Kosovës, Vjosa  Osmani priti sot në takim deputetin dhe zëdhënësin e Politikës së Mbrojtjes së Grupit Parlamentar të CDU/CSU në Bundestagun gjerman, Florian Hahn, me të cilin diskutoi mbi situatën aktuale politike dhe të sigurisë në vend. Me këtë rast, presidentja Osmani shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e lartë për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit mik të Gjermanisë në të gjitha proceset në të cilat ka kaluar vendi dhe populli ynë, si dhe përkrahjen e madhe ne synimet tona drejtë integrimeve  euroatlantike.

Osmani theksoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit me Gjermaninë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe qëndrimin unik kundrejt tendencave destabilizuese ndaj Kosovës, por edhe në rajon e më gjerë. Sipas saj, Kosova është fuqimisht e përkushtuar në rrugën e integrimit euroatlantik me synim të qartë për anëtarësim në BE dhe në NATO. Ndërkaq në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës presidentja Osmani theksoi se anëtarësimi është në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim dhe se kjo çështje ka të bëjë me të drejtat dhe liritë e njeriut.
Back to top button