Osmani: Kosova e përkushtuar për ruajtjen e vlerave evropiane

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorë e të ngarkuar me punë nga ambasadat e Suedisë, Austrisë, Holandës, Finlandës, Zvicrës, Luksemburgut dhe Belgjikës.

Presidenca njoftoi se përfaqësuesit e këtyre shteteve përgëzuan Presidenten Osmani për suksesin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërkaq Presidentja i falënderoi për mbështetjen e madhe në votimin në këtë Asamble.

“Më tej, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si një hap vendimtar drejt rritjes së efektivitetit të mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim, duke u dhënë atyre qasje në mekanizmat për të drejta të njeriut që i ofron kjo organizatë.Në takim u shkëmbyen mendime për rrjedhën e mëtejme të procesit të anëtarësimit të Kosovës në KiE, sikurse edhe sfidave dhe mundësive.”, thuhet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se Presidentja Osmani theksoi se mbështetja e këtyre shteteve për Kosovën është e rëndësishme edhe në fazën e fundit, në votimin që mund të mbahet në muajin maj, në Komitetin e Ministrave.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani përsëriti përkushtimin e palëkundur të Kosovës për ruajtjen e vlerave dhe standardeve evropiane, duke theksuar progresin e bërë në forcimin e institucioneve demokratike, promovimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.Përgjatë ditëve në vijim, Presidentja do të takojë edhe përfaqësues të shteteve të tjera anëtare në Këshillin e Evropës.”, përfundon njoftimi./21Media

Back to top button