Osmani: Kosova nuk zmbrapset, do t’i mbrojë kufijtë e saj me çdo kusht

(Lajm i përditësuar)


Osmani: Politika e Vuçiqit si ajo e Millosheviqit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në adresimin e saj në kuvend tha se politika e sotme e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, është politika e djeshme e Sllobodan Millosheviq.

“Fatkeqësisht, politika e sotme e Vuçiqit është politika e djeshme e Millosheviqit. Prandaj, ambiciet hegjemoniste nuk kanë marrë fund. Banjska ishte vetëm një paralajmërim, e Serbia nuk do të heq dorë nga planet e saj të errëta. Në esencë, Serbia me veprime të tilla, po e godet gjithë Evropën, sepse po punon për interesa të faktorëve malinjë që kanë për qëllim ta godasin BE-në e NATO-n përmes destabilizimit të Ballkanit Perëndimor”, tha Osmani.

Osmani tutje tha se pavarësisht nga synimet e Serbisë, Kosova do të jetë këtu siç ka qenë më 24 shtator “dhe siç do të jemi çdo ditë e përgjithmonë për t’u bërë gardianë të Republikës sonte”.


Osmani: Kosova nuk zmbrapset, do t’i mbrojë kufijtë e saj me çdo kusht

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nisi fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës me sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë, ku u vra polici Afrim Bunjaku.

Osmani tha se atë ditë, Kosova u përballë me situatën më të rrezikshme nga pavarësia e saj.

“Një vit i ballafaqimit me vështirësi në veçanti në fushën e sigurisë, meqë më 24 shtator Kosova u përballë me situatën më të rrezikshme që nga pavarësia e saj. Një grup terrorist paralamilitar i financuar, trajnuar dhe mbështetur nga Serbia, e mbi të gjitha i udhëruar nga lidershipi i këtij shteti kreu akt agresioni me planin e qartë që të aneksohet veriu i Kosovës dhe të shkaktohet destablizim jo vetëm i vendit tonë, por i të gjithë rajonit. Në këtë ditë Kosova u përballë me një agresor tinëzar në veprim, por të dukshëm në ambicie, me synimin e qartë të cënimit të themelit të shtetit tonë, Republikës, për të cilën ranë shumë dëshmorë ndër breza”, deklaroi Osmani.

Tutje, Osmani ka thënë se Kosova do t’i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht.

“Ata vranë një, por mobilizuan shumë djem e vajza nga radhët e Policisë, të cilët po atë ditë dhanë mesazh të qartë: Kosova nuk zmbrapset, Kosova nuk thyhet dhe Kosova do t’i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht”, tha ajo.

 


Deputetët e AAK-së do ta bojkotojnë adresimin e Osmanit në Kuvend

Deputetët e AAK-së do të bojkotojnë adresimin vjetor të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Kuvend. Këtë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar deputeti, Pal Lekaj.

“Nuk do jemi pjesë në seancë të adresimit të Presidentes”, tha Lekaj.

Raportohet se edhe PDK-ja do ta bojkotojë këtë adresim të Presidentës./21Media


Presidentja mban sot fjalimin vjetor

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do t’i adresohet sot Kuvendit të Kosovës.

Ajo do ta mbajë fjalimin vjetor në Kuvendin e Kosovës, duke filluar nga ora 11:00.

Osmani do t’i drejtohet Kuvendit sipas obligimit kushtetues, që e detyron presidentin të dalë para deputetëve së paku një herë në vit./21Media

Back to top button