Osmani kujton Enver Malokun

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka kujtuar gazetarin Enver Malokun i cili vdiq 23 vjet më parë.
Sipas saj, fjala e lirë dhe e vërteta, gjithnjë ishin përkushtim i Malokut.
“Më tepër se dy dekada më parë pushoi përgjithmonë fjala e lirë e njeriut të fjalës, i cili e drejtoi Qendrën për Informim të Kosovës. Ai ra për të vërtetën, ndërkaq ne na duhet e vërteta si një shpagim ndaj mundit të tij, kontributit dhe përkushtimit. Enver Maloku ishte zëri i të vërtetës, atdhetari e jokonformisti, të cilit i detyrohemi deri në zbardhjen e vrasjes së tij! I përjetshëm mbetet kujtimi për të”, ka shkruar  Osmani në Facebook.
Enver Maloku u vra në hyrje të banesës së tij para 23 vitesh, pasi paraprakisht me 1998 i kishte shpëtuar një atentati tjetër.
Maloku është i dekoruar me Urdhrin “Medalja e Artë e Pavarësisë” si dhe Urdhrin “Hero i Kosovës”, nga ish-presidentët Ibrahim Rugova, respektivisht Atifete Jahjaga. Ndërsa ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani e kishte dekoruar Enver Malokun me Medaljen “Urdhri i Artë i Shqiponjës”./21Media

Back to top button