Osmani: Kushtetuta e Kaçanikut, guri i parë, themeltar i shtetësisë sonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Kushtetuta e Kaçanikut shënon aktin e parë në krijimin e rendit kushtetues të Kosovës.
Sipas Osmanit me miratimin e kësaj Kushtetute u vendos guri i parë, themeltar, i shtetësisë sonë.
“32 vjet më parë, gra e burra përfaqësues, me guximin qytetar e vetëdije kombëtare, e miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, e cila shënon aktin e parë në krijimin e rendit kushtetues të Kosovës dhe i fortifikon përpjekjet e brezave të tërë për shtet të pavarur”, ka shkruar Osmani në Facebok.
E para e vendit ka shtuar se përfaqësuesit e atëhershëm të Kuvendit, më 7 shtator 1990 i dolën zot vendit dhe e përjetësuan në Kushtetutë vullnetin e qytetarëve të cilët i përfaqësonin, duke e vulosur përfundimisht përpjekjen për liri, demokraci e shtet të pavarur.
Sipas saj, ata e sfiduan një shtet e një regjim të egër, duke i vënë themelet e palëkundura të Kosovës së pavarur.
“Me të nisi krijimi i identitetit kushtetues e shtetëror të Republikës së Kosovës. Përjetësisht mirënjohës për këtë akt historik”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Më 7 shtator 1990 delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, që kishin shpallur Deklaratën e Pavarësisë më 2 korrik, e formalizuan këtë deklaratë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Nga protagonistët e miratimit të saj, 7 Shtatori është cilësuar si identitet i historisë së re të Kosovës./21Media

Back to top button