Osmani: Marrëveshja finale duhet të ketë në qendër njohjen reciproke

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se marrëveshja finale me Serbinë duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellët dhe duhet të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial, rendin kushtetues dhe funksionalitetin institucional të Republikës së Kosovës. Ajo këto komente i bëri në Konferencën e 6-të të ambasadorëve, organizuar sonte nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Në fjalën e saj në hapje të konferencës, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se gjatë tri ditëve të ardhshme të punës do të bisedojnë edhe për qasjen e re që ka Kosova ndaj mërgatës së saj dhe përfshirjes së saj në zhvillimet shoqërore e politike dhe ekonomike të vendit.
“Është sonte një natë që i paraprin tre ditëve të punës gjatë së cilës do të bisedojmë me ambasadorët rreth politikës së jashtme, ndryshimeve që kanë ndodhur në vendin tonë, por edhe në shërbimin e jashtëm, rreth misionit i cili është një privilegj ndoshta më i madhi në këtë Republikë që të jesh ambasador i këtij vendi dhe të përfaqësosh interesat e tij”, ka thënë ajo.
Ndërsa, Osmani tha se konferenca të tilla vjetore të ambasadorëve shërbejnë për të pasur diskutim të hapur mbi politikën tonë të jashtme, të arriturat dhe sfidat me të cilat ballafaqohet politika e jonë e jashtme.
“Politika jonë e jashtme duhet të jetë çdo herë në interes të shtetit dhe qytetarëve të saj dhe bazuar në promovimin e vlerave euroatlantike dhe ndërtimin e partneritetit me shtete nga kontinente të ndryshme dhe thellimin e aleancave me partnerët tanë tradicionalë strategjikë, andaj kjo konferencë duhet të na mundësojë përmes diskutimeve dhe analizave të arrijmë tek i njëjti kuptim i mjedisit që ndikon në politikën tonë të jashtme, qartësim të synimeve strategjike të kësaj politike, si dhe të bëjmë identifikimin e fushave dhe praktikave më të mira me të cilat duhet të përmirësohemi. Ju si diplomatë të Republikës së Kosovës jeni pasqyra dhe dritarja e Kosovës jashtë vendit dhe në njërën anë me veprimet tuaja duhet të pasqyroni vlerat themeltare të Republikës së Kosovës të lidhura me demokracinë, diversitetin etnik e kulturor, shpirtin inovativ e ndërmarrës të qytetarëve tanë dhe në anën tjetër jeni dritarja përmes së cilës komunikoni dhe ndërtoni ura bashkëpunimi”, ka thënë Osmani.
Ajo ka folur edhe për sfidat me të cilat është përballur vendi në fushën e politikës së jashtme gjatë vitit që po lëmë pas.
“Gjatë vitit 2022 ishim të sfiduar në katër drejtime: e para Serbia vazhdoi me veprime aktive kundër pozitës sonë ndërkombëtare nëpërmes kampanjës korruptive dhe bllokimit të njohjeve të reja dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Këto veprime të Serbisë i kemi luftuar në bashkëpunim me shtetet aleate dhe kemi ndërmarrë hapa konkretë drejt krjimit të kanaleve të komunikimit me shtetet jonjohëse dhe këtë vit siç e dini kemi paraqitur edhe kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe po ashtu aplikimin për anëtarësim në BE”, ka thënë Osmani.
Ajo theksoi se politika e jashtme megjithatë duhet që të shumëfishojë përpjekjet e përbashkëta për të ndalu ndikimin e Serbisë te shtete e tjera. Osmani ka folur edhe për zhvillimet e fundit në veri, vendosjen e barrikadave nga serbët lokalë.
“Serbia ka ndërmarrë veprime kundër rendit kushtetues duke cytur serbët në veri që të braktisin institucionet e Republikës së Kosovës nëpërmes kërcënimeve e detyrimeve, sulmeve, por edhe joshjeve në disa raste. Këto veprime synojnë destabilizimin e vendit dhe krijimit të vakumit institucional në veri si prelud për atë që Serbia e dëshiron- pra pretendimet e saj territoriale në raport me Kosovën. Një gjë e tillë që natyrisht kurrë nuk do të lejohet dhe vetëm sa do të shtohen veprimet tona për të vendosur sundimin e ligjit në secilin cep dhe secilën pjesë të territorit tonë”, ka thënë Osmani.
Ajo ka folur edhe rreth dialogut me Serbinë për të cilin fajësoi këtë të fundit për bllokimin e procesit.
“Procesi i dialogut u bllokua dhe u minua nga veprimet obstruksioniste të regjimit në Serbi duke pamundësuar progresin dhe arritjen e marrëveshjeve në shumë fronte, përfshirë edhe marrëveshjen për personat e zhdukur me dhunë, mos implementimin e marrëveshjes në fushën e energjisë, mos implementimin e marrëveshjeve të tjera… Marrëveshja finale duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellët dhe duhet të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial, rendin kushtetues dhe funksionalitetin institucional të Republikës së Kosovës”, ka thënë Osmani.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij ka thënë se instrumentet kryesore të politikës së jashtme janë diplomacia, ekonomia dhe mbrojtja.
“I takon diplomacisë t’i integrojë në punë gjithë instrumentet në fushat e mundshme. Përmes integrimit të këtyre fushave mund të krijohen kanalet në të cilat mund të komunikojmë të vërtetën dhe të drejtën. Ju takon juve të thoni se si e dimë ne të vërtetën. Ju jini të pranishëm në përditshmërinë e vendeve ku veproni. Përditshmëria atje ku jeni duhet analizuar sipas individëve, profesioneve dhe institucioneve. Duhet t’ua përçojmë pa drojë dijen tonë për historinë dhe informacionin tonë për aktualitetin. Ata e njohin Ballkanin e tyre, ne duhet t’ua shpjegojmë tonin, atë Ballkan ku fqinji ynë verior po synon me të gjitha mënyrat tri vende fqinje të saj duke i dhënë një ndihmë shumë të madhe Rusisë dhe duke u ndihmuar prej saj”, ka thënë Kurti.
Ndryshe, pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin edhe ministra qeveritarë, zëvendësministra, ambasadorë të akredituar në Kosovë, si dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare.

Back to top button