Osmani: Masakra e Dubravës, dëshmi rrëqethëse e krimit serb

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi sot se Masakra në Burgun e Dubravës është njëra ndër dëshmitë rrëqethëse të krimeve nga regjimi gjenocidal serb dhe e cila ende nuk ka marrë një përgjigje nga instancat e drejtësisë.

Në 22-vjetorin e kësaj ngjarje të rëndë ku u vranë mbi 100 të burgosur, Osmani tha se përkushtim i tyre mbetet që dëshmitë e të mbijetuarve për këtë krim të mund të adresohen dhe drejtësia ta thotë fjalën e vetë, si një parakusht për paqe të qëndrueshme.

“22- vjet më parë, forcat serbe zbrazën egërsinë e tyre kundrejt të burgosurve shqiptarë në Burgun e Dubravës, fillimisht duke i torturuar e pastaj duke i ekzekutuar 150 dhe plagosur afro 300 prej tyre”, ka shkruar Osmani, duke shtuar se një kallëzim penal nga Shoqata e të Burgosurve Politik i bërë vite më parë ende nuk ka epilog.

Masakra në Burgun e Dubravës është cilësuar edhe më herët nga përfaqësuesit politik në Kosovë si një nga krimet më monstruoze, për të cilin ende askush nuk është gjykuar.

Sipas të dhënave të publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1998 – 1999, janë vrarë mbi 13.500 persona, 76 % e të cilëve besohet se kanë qenë civil.

Edhe më tej është duke u hulumtuar fati i rreth 1.600 personave të pagjetur./21Media

Back to top button