Osmani me ftesë të Erdoganit merr pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka udhëtuar për në Turqi për të marrë pjesë në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalisë.
Sipas presidencës kosovare, forumi i këtij viti, me temën “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar”, synon t’i adresojë sfidat ndërkombëtare në një kontekst të polarizuar global, duke vënë theksin në nevojën që diplomacia ta rifitojë rolin e saj si forcë stabilizuese dhe ndërtuese e paqes.
Osmani në Forumin e Antalisë, do ta ketë një bashkëbisedim në temën boshte të edicionit të këtij viti për rikthimin e diplomacisë në një botë të fragmentuar.
Po ashtu bëhët e ditur se gjatë punimeve të Forumit, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me homologë nga vende të ndryshme të botës, me qëllim forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Kosovës.
Forumi Diplomatik i Antalisë është një platformë e nivelit të lartë, që mbledh liderë shtetesh, diplomatë të rangut të lartë dhe ekspertë nga mbarë bota, për të diskutuar çështje kyçe të sigurisë, politikës së jashtme dhe bashkëpunimit ndërkombëtar./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?