Osmani me Kapetanoviq flasin për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviq.

Sipas Zyrës së Presidencës, gjatë takimit, Vjosa Osmani diskutoi angazhimin e Kosovës për bashkëpunimin rajonal si hap kyç për avancimin e gjithë rajonit dhe një kontribuues për stabilitet dhe progres.

“Ajo vlerësoi nismat rajonale të cilat po kontribuojnë në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet shteteve fqinje në rajonin tonë, me ç’rast potencoi rëndësinë e mundësive të barabarta pa pengesa procedurale apo politike”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës.

Po ashtu në këtë takim u fol edhe për Procesin e Berlinit, ku presidentja Vjosa Osmani theksoi nevojën për të punuar edhe më shumë në rikthimin e fokusit në tema të interesit të veçantë, siç është zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftërave të fundit në Ballkanin Perëndimor.

“Tutje, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë jetike të investimit në fuqizimin e vajzave dhe grave, duke e cilësuar këtë si një parakusht për rritjen e mirëqenies dhe avancimin e zhvillimit të rajonit”, ciotohet Vjosa Osmani në komunikatë.

Gjithashtu, presidentja Osmani theksoi se Kosova ka konfirmuar rolin e saj konstruktiv në rajon dhe riafirmoi angazhimin për integrimin e plotë në kuadrin rajonal.

Back to top button