Osmani: Modeli aktual për pakicat, më i mirë sesa 15 modelet e propozuara

(Lajm i përditësuar)

Presidentja Vjosa Osmani është shprehur se model aktuale që ka Kosova për pakicat është më i miri sesa ato 15 modelet e propozuara nga emisari i Bashkimit Evropian për dialog , Miroslav Lajçak.

Ajo tha se Kosova është e gatshme t’i diskutojë këto modele evropiane por jo diçka që rrezikon e cenon funksionimin demokratik të vendit. Këto komente, presidentja Osmani i bëri pas pjesëmarrjes në edicionin e dhjetë të Javës së Gruas që po organizohet nga NDI.

“Modelet të cilat janë prezantuar të 15-ta nuk kanë të bëjnë me asociacione janë modele të drejtash për pakicat, pra secila prej tyre janë modele të cilat disa japin më shumë të drejta, në disa modele ka më pak të drejta sesa që tashmë Kosova u jep pakicave apo komuniteteve joshumicë. Ne i kemi analizuar të gjithë këto modele dhe natyrisht ka elemente që mund të merren prej secilës prej tyre, por unë do të thosha sërish që modeli shumë më i mirë se të gjitha ato 15 është modeli aktual që e ka Republika e Kosovës. Megjithatë, ne jemi aty për të diskutuar elemente të tilla në mënyrë që në Kosovë të kemi gjithëpërfshirje, diversitet të vazhdueshëm që multietniciteti të vazhdojë të jetë vlera kryesore e sistemit tonë kushtetues, gjithçka që mund të bëjmë që të garantojmë të drejta përderisa nuk cenohet funksionaliteti i brendshëm i shtetit tonë, ne nuk kemi nevojë që të mohojmë diçka të tillë. Por, modelet janë për të drejtat e pakicave prandaj i studiojmë me shumë kujdes që të shohim se çka janë elementet funksionale dhe ato elemente funksionale pastaj bashkohen të gjitha në një model që mund t’i bien tamam Kosovës por jo diçka që e rrezikon e cenon mënyrën se si funksionon shteti ynë demokratik”, tha ajo.

11:07 – Osmani: Presim që në Ohër të arrihet marrëveshje që zgjidh problemet Kosovë-Serbi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se pret që në takimin e 18 marsit në Ohër të arrihet një marrëveshje.

“Ky do të jetë një takim ku Kosova si gjithnjë do të angazhohet për konstruktivitet , do të jap komentet e veta, propozimet e veta që kontribuojnë për stavbilitet në rajon përmes arritjes së një marrëveshjeje që i zgjidh problemet”, tha Osmani.

Presidentja tutje u shpreh se pret nga ndërkombëtarët që t’i bëjnë presion Serbisë që të bindet se takimi i 18 marsit është një momentum jashtëzakonisht i rëndesishëm për dialogun.

“Nuk kemi pritje nga pala serbe se do të nënshkruaj marrëveshjen për shkak qasjes së presidentit serb. Presim nga ndërkombëtarët që t’i bëjnë presion Serbisë në mënyrë që të bindet edhe Serbia që takimi i 18 marsit është një momentum jashtëzakonisht i rëndesishëm në procesin e dialogut”, tha ajo.

Kurti pritet të zhvillojë rundin e ri të bisedimeve me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars. Në këtë takim pritet që palët të diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve./21Media

Back to top button