Osmani në New York: Kosova e përkushtuar në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka konfirmuar përkushtimin e palëkundur të Republikës së Kosovës në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Ajo në konferencën Fondit Global për Angazhimin dhe Qëndrueshmërinë e Komunitetit në New York ka theksuar se bashkëpunimi mes shteteve është i domosdoshëm dhe në funksion të mbrojtjes së atyre që rrezikohen nga grupe e dhunshme ekstremiste dhe organizata terroriste.
Në këtë Konferencë, Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova është mbështetur nga Fondi Global i Angazhimit dhe Rezistencës së Komunitetit, ndaj sipas saj, kësaj radhe shteti i Kosovës ka vendosur të kontribuojë duke e mbështetur Fondin.
Sipas Presidentes Osmani, në luftimin e sfidave të përbashkëta, duhet qëndruar bashkërisht.
“Bashkëpunimi dhe ndërgjegjësimi qëndron në thelbin e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe të gjata ndaj kërcënimeve sistematike, të cilat minojnë prosperitetin e shoqërive tona”, ka theksuar Presidentja Osmani, duke shtuar se vendosmëria dhe këmbëngulja janë rruga jonë përpara.
Në këtë konferencë Osmani mori pjesë me ftesë të Presidentit të Nigerit Mohamed Bazoum dhe Presidentit të Konfederatës Zvicerane Ignazio Cassis./21Media

Back to top button