Kaloni te përmbajtja kryesore

Osmani: Në takim me Stoltenbergun përsërita përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO

(Lajm i përditësuar)


Osmani: Në takim me Stoltenbergun përsërita përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO

Presidentja Vjosa Osmani shkroi në Facebook se në takim me Sekretarin e Përgjithshëm Jens Stoltenberg, përsëriti përkushtimin e fortë të Kosovës për anëtarësim në NATO.

“Vendosmëria jonë për të kontribuar krahas aleatëve tanë për siguri dhe paqe afatgjate, në rajon e kudo në botë, mbetet e palëkundur!”, shkroi e para e shtetit.

Stoltenberg: Çdo zbarkim i forcave speciale kërkon pajtimin e KFOR-it 

Çdo zbarkim i forcave speciale në veri të vendit duhet të bëhet në koordinim me NATO-n, ka thënë shefi i aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg.

“Nuk është kriter i ri. Është baza e misionit për një kohë të gjatë tashmë. Çdo zbarkim i forcave speciale kërkon pajtimin e KFOR-it dhe ka nevojë për koordinim dhe konsultim të afërt mes autoriteteve në Prishtinë me çfarëdo lloj zbarkimi të forcave që mund të ndikojë pozitën tonë e sigurinë në Kosovë”, ka thënë Stoltenberg.


Osmani: BE-ja të ketë qasje të balancuar në dialog, në disa momente s’e kishte

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se shpreson që ndërmjetësuesi Bashkimi Evropian do të ketë qasje të balancuar në dialogun Kosovë – Serbi.

Osmani ka thënë se BE-ja në disa raste nuk ka pasur qasje të balancuar, teksa ka shtuar se nga selia e NATO-s në Bruksel do t’i bëjë thirrje aleatëve që të sigurojnë qasje të balancuar.Ajo ka thënë në konferencë të përbashkët për media me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se marrëveshja e Brukselit duhet zbatuar e plotë dhe pa kushte.“S’ka asnjë nen më me rëndësi se tjetri”, ka thënë Osmani, ndërsa ka shtuar se Serbia vazhdon ta shkelë marrëveshjen.

Osmani: Kosova sukses historik i NATO-s

‘’Kosova është sukses historik i NATO-s, ka forca keqdashëse që duan ta sfidojnë dhe ta rrënojnë atë. Nuk duhet ta lejojmë këtë’’ kështu tha Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në konferencën e përbashkë me sekretarin e Përgjithshëm  të NATO-s, Jens Stoltenberg .

Tutje Osmani ka shtuar se nuk do të lejojnë që veriu i Kosovës të jetë fushëbetejë për arritjet hegjemoniste të autokratëve rajonalë, duke aluduar në presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Jam këtu si dëshmi e orientimit strategjik të Kosovës. Jemi shumë mirënjohës për lidershipin e NATO-s në këtë kohë goxha të rëndë. Më lër të shpreh mirënjohjen e popullit të Kosovës për rolin e NATO-s për të shpëtuar jetët tona dhe rolin gjatë ditëve të sotme. E vlerësojmë rolin e NATO-s në zhvillimin e Kosovës’’ tha Osmani.

Osmani në emër të institucioneve shprehi gatishmërinë që në bashkëpunim me NATO-n t’i sjellin para drejtësisë kriminelët që sulmuan ushtarët e KFOR-it, gazetarët e njësitet policore në veri të Kosovës gjatë fund të majit.


Stoltenberg: Vazhdojmë ta monitorojmë situatën në veri të Kosovës

Pas takimit me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë r se i mirëpret hapat e fundit të Kosovës që i ka marrë për të shtensionuar situatën në veri të vendit.

Në konferencën e përbashkët me Osmanin, ai ka deklaruar se e mbështet edhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Ai tutje ka shtuar se dialogu është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull mes të dyja vendeve.

Stoltenberg ka deklaruar se mirëpret takimin Kurti-Vuçiq në Bruksel javën e ardhshme, ndërsa ka theksuar se ky takim “është mundësi për Kosovën që të demonstrojë se është palë e përgjegjshme që vepron në mënyrë konstruktive në dobi të sigurisë euroatlantike”.

Stoltenberg tutje ka shtuar se NATO vazhdon ta monitorojë situatën në veri të Kosovës.

“Për situatën e fundit në veri të Kosovës NATO ka zbarkuar qindra trupa dhe vazhdojmë ta monitorojmë situatën për të përmbushur mandatin tonë të OKB-së, për të ruajtur një mjedis të rregullt dhe liri të lëvizjes të të gjitha komuniteteve në Kosovë”, ka thënë Stoltenberg.


Osmani në Bruksel, takohet me shefin e NATO-s

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Bruksel për vizitë zyrtare në selinë e NATO-s.

Në njoftimin e Presidencës, bëhet e ditur se në orën 14:00, Osmani do të pritet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin do të realizojë takim bilateral.

Pas përfundimit të takimit, Osmani dhe Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg do t’i adresohen gazetarëve në një konferencë të përbashkët për media.

Gjatë vizitës zyrtare në NATO, Presidentja do të ketë takim edhe me Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Rob Bauer.

Presidentja do të realizojë takime edhe me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në NATO, Julianne Smith si dhe me përfaqësues të shteteve të tjera aleate.

“Përgjatë vizitës, Presidentja Osmani do të riafirmojë vendosmërinë e popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për avancimin e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, duke filluar me programin e Partneritetit për Paqe, forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit me aleatë, në veçanti për çështje të sigurisë, mirënjohjen e popullit të Kosovës për rolin dhe kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, si dhe përkushtimin për kontribut të përbashkët për paqe, stabilitet dhe siguri afatgjate në rajonin tonë”, thuhet në njoftim./21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button