Osmani në takim me zyrtarin e BE-së për siguri, kërkon përballjen me drejtësinë të bandave kriminale në veri

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se bandat kriminale të mbështetura nga Vuçiqi, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë rajonit, prandaj veprimet e tyre të rrezikshme dhe sipas saj këto duhet të dënohen nga të gjithë.

Këto dekalrata Osmani i ka bërë gjatë takimit me Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm për Paqe, Siguri dhe Mbrojtje në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), Charles Fries, i shoqëruar nga Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark.

Sipas njoftimit për media nga Presidenca, Osamani vuri theksin në nevojën e koordinimit me partnerët ndërkombëtarë, si hap i domosdoshëm në mënyrë që të sigurohet paqe dhe stabilitet afatgjatë në vend e rajon, ndërsa ka përmendur rëndësinë e sundimit të ligjit dhe përballjen me drejtësinë për bandat kriminale dhe veprimet e tyre të kundërligjshme.

Bëhet e ditur se ndër të tjera, në takim u diskutua për progresin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, me ç’rast Presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik. Ne veçanti, Presidentja ka informuar Z. Fries për progresin e bërë në fushën e sundimit të ligjit, që përfshinë edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe për reformat demokratike dhe për përafrimin e plotë të politikës së jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së. Tutje, Zëvendës Sekretari Fries vlerësoi lart bashkërendimin e Kosovës për dënimin publik dhe sanksionet kundër Rusisë si dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj Ukrainës./21Media

Back to top button