Osmani nga Kulla e Isa Boletinit: Nëse është nevoja nga këtu do të mbrohet çdo cep i territorit

(Lajm i përditësuar)


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga Kulla e Isa Boletinit në veri ka thënë se nga ky vend nëse është nevoja do të mbrohet çdo cep i territorit të Kosovës.

Osmani pasi bëri homazhe te varri i heroit Isa Boletini për nder të Ditës së Flamurit, tha se Kulla e Isa Boletinit dhe varri i tij dëshmojnë se shqiptarët kanë qenë në pjesën veriore ‘dem baba dem’ dhe do të vazhdojnë të jenë përgjithmonë.

“Sakrifica e shqiptarëve të Kosovës edhe në vitin 1912 ka qenë jashtëzakonisht e madhe. E nderojmë pikërisht këtu në kullën e tij, Kullën e Isa Boletinit ku është mbrojtur çdo cep i Republikës së Kosovës dhe nga ku nëse është nevoja do të mbrohet sërish çdo cep i Republikës së Kosovës. Pikërisht ky varri i Isa Boletinit në veri të vendit të vendit dhe kjo kullë dëshmon se shqiptarët kanë qenë këtu ‘dem baba dem’ dhe shqiptarët do të vazhdojnë të jenë këtu përgjithmonë”, tha ajo.


​Osmani: 28 Nëntori, moment reflektimi për të gjithë atë që heronjtë kanë bërë për shqiptarët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se është flamuri kuq e zi dhe data 28 Nëntor që na kujton çmimin e lartë të lirisë dhe njëkohësisht sakrificat që janë bërë për shekuj në mënyrë që të gjithë të jetojnë të lirë.

Osmani pasi bëri homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz, tha se dita e sotme është moment reflektimi për të gjithë atë që heronjtë tanë kanë bërë për shqiptarët.

“Sot e fillojmë këtë ditë historike duke nderuar një figurë dhe një familje e cila është po aq historike sa vet flamuri kuq e zi, familjen Jashari, njëkohësisht duke shënuar ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 nëntor 1997. Është flamuri kuq e zi dhe data 28 nëntor që na kujton secilit prej nesh çmimin e lartë të lirisë dhe njëkohësisht sakrificat që janë bërë për shekuj në mënyrë që të gjithë të jetojnë të lirë. Sot shqiptarët kudo që janë e shënojnë këtë ditë e njëkohësisht është edhe moment reflektimi për të gjithë atë që heronjtë tanë kanë bërë për shqiptarët, që nga heroi Gjergj Kastrioti Skënderbeu, deri tek Ismail Qemaili, Hasan Prishtina, Isa Boletini e deri tek heronjtë e viteve 90, Adem Jashari. Lavdi të gjithë atyre që kanë dhënë për lirinë e Shqipërisë, për lirinë e Kosovës”, tha ajo.


​Osmani: 28 Nëntori është dedikim për heronjtë tanë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se ditën e pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së, i bashkon flamuri kuq e zi dhe data 28 nëntor.

Osmani ka shkruar në “Facebook” se flamuri ynë kombëtar është trashëgimi e përjetësuar në simbol që nga viti 1443 në Krujë, 1912 në Vlorë dhe 1999 në Prishtinë.

“Kjo ditë është dedikim për heronjtë tanë që prej Gjergj Kastriotit, Ismajl Qemajlit, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit e deri te Adem Jashari, vepra e të cilëve është vula e shtetit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës. Republikës së Shqipërisë ia përcjell urimet më të ngrohta të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës në këtë 111 vjetor. Kosova do të jetë gjithnjë në krah të Shqipërisë, duke thelluar më tej lidhjet ndërshtetërore, sikurse edhe ato ndërmjet motrave e vëllezërve. Gëzuar të gjithëve”, Osmani.


Osmani bën homazhe në Prekaz

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, do të bëjë homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, me rastin e 28 nëntorit, 111-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari.

Homazhet Osmani pritet t’i bëjë në ora 08:30.

Ndërkaq, ajo do të bëjë homazhe edhe në fshatin Boletin, tek varri i heroit Isa Boletini.

Back to top button